KPK-ja dhe zyra e Kryeprokurorit dënojnë kërcënimet ndaj prokurores Hajdari

Prishtinë | 11 Jan 2020 | 16:31 | Nga Ekonomia Online

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, kanë dënuar fuqishëm kërcënimin me likuidim fizik dhe kërcënimet e tjera, të bëra gjatë ditës së sotme ndaj prokurores speciale, Drita Hajdari.

Sot gjatë ditës, Prokurorja speciale, Drita Hajdari e cila ka ngritur dhe përfaqësuar aktakuzën ‘Pronto’, ka denoncuar në Policinë e Kosovës një rast kërcënimi.

KPK dhe zyra e Kryeprokurorit, thonë se këto kërcënime serioze ndaj prokurores Hajdari vijnë si rrjedhojë e fushatës dhe gjuhës denigruese publike nga një grup individësh, pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës në lidhje me rastin e ashtuquajtur “Pronto”.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit qëndrojnë fuqishëm në përkrahje të prokurores speciale, Drita Hajdari, duke i ofruar mbështetjen e plotë për punën dhe përkushtimin e saj në ushtrimin e funksionit kushtetues dhe ligjor në hetimin dhe ndjekjen e kryeseve të veprave penale. Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit sigurojnë opinionin publik se kërcënimet publike ndaj prokurorëve nuk do t’i zmbrapsin asnjë hap dhe asnjë çast synimet dhe përpjekjet tona të vazhdueshme për krijimin e shtetit ligjor, në të cilin respektohen parimet e drejtësisë”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, tutje njoftojnë se kërcënimet ndaj prokurores Drita Hajdari janë duke u trajtuar seriozisht dhe me nivelin e duhur të urgjencës, me ç’rast kanë urdhëruar Policinë e Kosovës për të ndërmarrë masa konkrete për identifikimin dhe arrestimin e personave, të cilët kanë kërcënuar prokuroren Hajdari, si dhe të njëjtit të dalin para organeve të drejtësisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme