Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) të martën ka mbajtur konferencë për medie në lidhje me prezantimin e “Raportit të monitorimit të Ofrueseve të Shërbimeve Mediale Audio-vizuele gjatë fushatës për zgjedhjet lokale 2021”, raporton Ekonomia Online.
Xhavit Latifi, kryetar i KPM-së tha se në tërë procesin zgjedhor kanë reaguar konform ligjit për zgjedhje.
Sipas tij, mediet e kanë respektuar ligjin duke u bërë konkurrente edhe me mediet e tjera të rajonit.
“Gjatë takimeve tona ne kemi marrë shqetësime të medieve që kanë prezantuar dhe ne si rregullator jemi munduar që këto shqetësime t’i reflektojmë edhe në punën tonë. KPM ka reaguar konform ligjit për zgjedhje, e më pas edhe me komunikata ku kemi kërkuar pajtueshmëri me aktet ligjore dhe jemi këtu për të treguar punën tonë”.
“Mund të themi se mediet tona në përgjithësi kanë respektuar ligjin dhe kjo i bën ato të jenë konkurrente me mediet e rajonit”.
Faruk Rexhaj, zëvëndëskryesues i KPM-së gjatë kësaj konference theksoi se gjatë monitorimit janë përfshirë 22 shërbime mediale duke shtuar se mbulimi i fushatës ishte objektiv dhe i paanshëm.
“Në monitorim janë përfshirë 22 shërbime mediale, prej të cilave 3 me mbulim tokësor nacional, 14 me mbulim lokal dhe regjional, 5 që transmetohen përmes operatorit të shpërndarjes”.
“Nga të gjeturat e monitorimit nënkuptojmë se prezantimi i fushatës ishte kryesisht objektiv dhe i paanshëm në bazë të dispozitave ligjore”.
Mes tjerash ai tha se gjatë periudhës së monitorimit kanë pranuar gjithsej 4 ankesa dhe fokusimi i tyre ka qenë në analizën sasiore dhe cilësore, raporton EO.
“Gjatë periudhës së monitorimit të KPM-së kemi pranuar gjithsej katër ankesa lidhur me fushatën zgjedhore, ku jemi bazuar në analizën sasiore dhe cilësore, e në theks të veçantë lajmet qendrore, kronikat zgjedhore, pikat reklamuese politike si dhe debatet”.
Periudha e monitorimit ka qenë nga data 16 shtator deri më 17 tetor.