KQPZh: Nga gërmimet në Rahovec gjenden mbetje mortore, por nuk dihet numri i saktë i individëve

Prishtinë | 10 Mar 2026 | 16:19 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh) ka njoftuar se janë duke vazhduar aktivitetet në terren në kuadër të rifillimit të gërmimeve vlerësuese në lokacionin “Përzhina” në Rahovec.

Në njoftimin publik, ky komision tha se me rastin e rifillimit të punimeve, “të enjten më 4 mars 2026, janë hasur pjesë kockore, të cilat janë zhvarrosur dhe dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore”.

Po ashtu, gjatë punimeve të zhvilluara dje, komisioni tha se janë evidentuar gjetje të mbetjeve mortore, të cilat, sipas vlerësimit fillestar, i përkasin së paku një individi.

“Megjithatë, numri i saktë i individëve dhe identiteti i tyre do të konfirmohen pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave përkatëse, përfshirë edhe identifikimin përmes ADN-së”, ka thënë KQPZh.

Gërmimet, tha ky komision, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, deri në vlerësimin e tërësishëm të lokacionit të shënjuar, përkatësisht zonës me interes.

KQPZh tha se procesi po zhvillohet në koordinim ndërinstitucional ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektorit për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore, si dhe organeve të drejtësisë, me përkushtim të plotë institucional, me qëllim të ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë. 

Të ngjashme