Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën u akredituan edhe 9 mijë e 50 vëzhgues për zgjedhjet e 6 tetorit, raporton Ekonomia Online.
Drejtori ekzekutiv i Zyrës për Regjistrim të Partive Politike, Yll Buleshkaj, kërkoi që në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, të akreditohen edhe 9050 vëzhgues ku prej tyre janë 9 medie, 3 parti politike, 1 OJQ vendore dhe ambasada.
“Me 8 vota pro u akredituan sot edhe 9050 vëzhgues, që në total deri më tani janë 12.872 vëzhgues të akredituar”, tha ai.
KQZ-ja ka miratuar ndryshimin e Rregullës Zgjedhore Nr.13/2013, Fushata e Zgjedhjeve dhe Njoftimi për Ngjarjet Politike.
Anëtari i KQZ-së, Sami Hamiti, tha se me ndryshimin e kësaj rregullore përkufizohet sakt për rolin e fëmijëve në fushata.
Partive politike u ndalohet përdorimi i fëmijëve në fushata, por nuk u ndalohet pjesëmarrja në fushata.
“E dimë që fëmijët në fushata nuk përdoren politikisht, por munden të marrin pjesë me prindërit e tyre, ka qenë keq e rregulluar me rregullore, konsideroj se po bëhet mirë që po plotësohet kjo rregullore dhe po qartësohet, ju lus t’ia dërgoni PZAP-ës sepse subjektet po marrin dënime”, tha ai.
“Mos të nënkuptohet se edhe produktet komerciale për zgjedhje i referohen kësaj rregullore”, tha Hamiti.
“Kjo nuk nënkupton që fëmijët janë në proces mësimore të lirohen e të marrin pjesë në tubime, për fëmijët që janë në shkollë nuk nënkupton të dalin e të iu bashkëngjiten një fushate zgjedhore”, shtoi ai.
Anëtari i KQZ-së, Adnan Rrustemi, tha se kjo rregullore nuk është që të mënjanohet gjobitja e partive politike, por që të definohen mënyra e pjesëmarrjes në fushata e tubime të miturve.
“Shumë gjoba janë shqiptuar nga PZAP-ja për shkak të ngurtësisë që ka pas përkufizimi në rregullën e hershme, rregulla nuk ka qenë shumë e qartë por e përgjithësuar, të miturit nuk duhet lejuar të përdoren në fushata në mënyrë aktive apo të keqpërdoren për kryerjen e aktiviteteve në fushatë, por nuk do u ndalohen pjesëmarrja fëmijëve mbi 15 vjeç në fushatë apo takime që lidhet me të drejtën e informimit e edukimit qytetarë”, tha Rrustemi, raporton EO.