Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka akredituar 17 652 vëzhgues për zgjedhjet e 6 tetorit, raporton Ekonomia Online.
Drejtori Ekzekutiv i Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, Yll Buleshkaj, ka njoftuar që me akreditimin e mbi 17 mijë vëzhgueseve, numri i përgjithshëm i vëzhguesve arrin në 32 875.
Sipas tij, të gjithë personat i kanë plotësuar kushtet e parapara nga ligji dhe KQZ-ja.
“Jemi vetëm një javë para zgjedhjeve dhe afati për aplikim nga subjektet kanë përfunduar. Në mënyrë që të arrijmë një kohë, rekomandojmë që 17 652 vëzhgues të akreditohen që në total do të jenë 32 875 vëzhgues. 25 mijë vëzhgues janë të subjekteve politike kurse numri tjetër nga OJQ-të. Të gjithë i kanë plotësuar kushtet teknike të cilat i ka paraparë ligji”, tha ai.
Kryeshefi Ekzekutiv i SKQZ-së, Enis Halimi, ka njoftuar se janë duke rishikuar aktivitetet për të konfirmuar se gjithçka është duke shkuar në mënyrë të duhur.
Halimi njoftoj se kanë filluar me shpërndarjen e materialeve nëpër komuna.
“Dy mijë pako të supozuara që kanë votime në ato i kemi pranua. Sa i përket masave të sigurisë jemi koordinuar me institucionet relevante. Është në vijim i sipër të anëtarëve të këshillave në secilën komunë dhe jemi në rishikim të aktiviteteve që të sigurohemi që është duke shkuar ashtu siç e kemi paraparë. Aktivitetet e përgjithshme administrative kanë vijuar normalisht”.
“Kemi filluar me shpërndarjen e materialeve në depot komunale të zgjedhjeve. Në qendrën e numërimit është duke vijuar trajnimi përkatës që do të vijoj gjatë zgjedhjeve. Aktivitet janë brenda normës dhe presim që në ditët në vijim të merremi me aktivitetet dhe presim që do të dalim mirë”, ka thënë Halimi.
Anëtari i KQZ-së nga VV, Adnan Rrustemi, ka kërkuar që ta kenë një raport në lidhje me listën e personave të burgosur dhe atyre nëpër spitale.
“A ka fillua numërimi i votuesve me nevoja të veçanta. Ta kemi një listë të votuesve të evidentuar në secilin komunë”.
“Jemi afër ditës se zgjedhjeve, por sot ta evidentojmë që ta kemi një raport të votuesve të burgosurve dhe personave nëpër spitale të regjistruar për secilin person dhe periudhë”, pyeti ai.
Halimi theksoi se nesër përfundon afati për këto kategori dhe në KQZ do të jetë numri i tyre.
“Të gjithë burgosurit dhe ata nëpër spitale do të regjistrohen. Nesër përfundon afati dhe do ta kemi numrin e tyre. 108 ekipe mobile për t’i shërbyer këtyre votuesve që janë miratuar në KQZ”, tha ai.