Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar katër kandidatët e Listës Serbe, të cilët kandidojnë për komunat veriore, në zgjedhjet e parakohshme në veri, raporton Ekonomia Online.
Ky vendim erdhi me shumicë votash të anëtarëve të KQZ-së dhe me kundërshtimet e atyre të Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas debatit, Daka hodhi në votim vendimin e PZAP-së. Ajo pyeti anëtarët se a janë të pajtimi që KQZ-ja të bëj ankesë në Gjykatën Supreme në lidhje me certifikimin e Listës Serbe.
Këtë kërkesë të Dakës e kundërshtuan gjithë anëtarët e KQZ-së, në përjashtim të atyre të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi dhe Nazlie Bala.
“Ky vendim është i plotfuqishëm edhe pasi ka vendos Lista Serbe të mos ankimohet po ashtu edhe KQZ ne jemi të obliguar të certifikojmë dhe prej kësaj Lista Serbe është e certifikuar me vendim të PZAP-së”, tha Daka, raporton Ekonomia Online.
Anëtari Adnan Rrustemi tha se nuk e kupton këtë nxitim të KQZ-së, sipas tij, duhet të pritet afati për ankesa.
Paraprakisht, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në lidhje me ankesën e Listës Serbe, duhet të respektohet.
Daka bëri të ditur se me këtë vendim të PZAP-së, duhet të certifikohen katër kandidatët serb për zgjedhjet në pjesën veriore të vendit.
“Vendimi i PZAP-së thotë se pranohet pjesërisht apeli i Listës Serbe, anulohet vendimi i KQZ-së dhe urdhërohet që KQZ-ja ta certifikoj subjektin e Listës Serbe me kandidatët për kryetar të komunave për zgjedhjet e jashtëzakonshme. Vendimet e PZAP-ës janë të obligueshme sipas ligjit, tashmë kemi urdhrin e PZAP-së të certifikohet Lista Serbë me 4 kandidatët e saj”, tha ajo.
Këtë vendim e ka kundërshtuar anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi. Ai tha se tani nuk mund të merret ky vendim, duke shtuar se sipas ligjit janë 24 orë kohë për të u ankuar.
“Është mirë që çështja e 3 nga 4 kandidatët e Listës Serbe ka marr vendimin juridik të vërtetohet paligjshmëria apo jo e së drejtës se kandidate për të qenë pjesë e zgjedhjeve duke marr shkas nga dorëheqjet e tyre dhe që Kosovën e konsiderojnë si Kosova e Metohija, nuk pajtohem më këtë vendim vazhdoj të them se këta 3 nga 4 kandidatët e kanë humbur të drejtën për të kandiduar por në bazë ligjore do respektohet”, tha Rrustemi.
Sipas tij, vendimi i PZAP-së, është i obligueshëm. Por është vetëm vendim i instancës së parë në këtë rast.
“Nëse KQZ nuk është dakord me ankuar vendimin e PZAP për në gjykatën supreme duhet presim 24 orë nëse ka ankesa në gjykatën supreme, nëse nuk ka ankesa atëherë fillohet të merret ky vendim”, shtoi ai.
Ai tha se VV-ja do të ankohet dhe nëse merret vendimi, pa pritur 24 orë atëherë shkelet ligji.
“Unë mendoj e duhet pritur 24 nëse ka ankesa dhe më pas të marr vendim gjykata supreme. Nuk mund të merret vendimi sot pa përfunduar afati 24 orë që është cenuar e drejta themelore, duhet pritur deri nesër në ora 16 a ka ankesa apo jo”, tha ai.
Daka tha se të drejtë ankese ka vetëm Lista Serbe dhe KQZ-ja.
KQZ-ja ka miratuar edhe raportin për Kuvendin e Kosovës për vitin 2018. Poashtu ky komision ka emëruar Bekir Qusaj nga PDK-ja si anëtar në Kuvendin Komunal të Dragashit, i cili ishte zëvendësim i Vehbi Nazifit.