Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur konferencën e parë rajonale me trupat menaxhuese të Zgjedhjeve, ku morën pjesë përfaqësues të Komisioneve të Zgjedhjeve nga Kosova, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia, e cila kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave për teknologjinë në zgjedhje.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se implementimi i zgjedhjeve të duhura rrit sigurinë e votimit dhe bënë procesin më të lehtë. Ndërsa ka shtuar se mosprojektimi i procesit zgjedhor sjell dështim të procesit, raporton Ekonomia Online.
Daka ka thënë se Kosova këto ditë është në zgjedhje parlamentare dhe përdorimi i teknologjisë do të përdoret për rezultatet preliminare dhe ky sistem teknologjik ka rritur besimin e qytetarëve.
Ndërsa ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu ka thënë se roli i OSBE-së, është që të ofroj mbështetje për procesin e zgjedhjeve në Kosovë.
Ai ka thënë se po jetojmë në botën e ku teknologjia e informacionit po zhvillohet gjë e cila ka prekur edhe proceset e zgjedhjeve.
“Teknologjia ka ndikim në praktikat më të mira duke shfrytëzuar ato pajisje të cilat na nevojiten. Teknologjitë e reja ulin koston e zgjedhjeve dhe mund të ulin gabimet njerëzore, mund të përshpejtojë numërimin e votave dhe rezultatet preliminare në mënyrë më të besueshme”, ka thënë Braathu.
Ai ka thënë se misioni i OSBE-së në Kosovë vazhdon të jetë i përkushtuar për të mbështetur iniciativat të cilat sjellin transparencë.