Në mbledhjen e dytë të KQZ-së, u kërkua që të pezullohen nga lista preliminare e votuesve personat me dokumente të UNMIK-ut, raporton Ekonomia Online.
Alim Rama nga Këshilli për Operacione Zgjedhore tha se rekomandon që personat që kanë dokumente të UNMIK-ut të largohen nga lista preliminare për shkak se kontribuojnë në pasaktësi.
“Nga Agjencioni për Regjistrim Civil të kërkojmë që këta persona të mos largohen por përkohësisht të pezullohen”, ka thënë kryetarja e KQZ-së Valdete Daka.
KQZ-ja e ka konfirmuar edhe listën e personave të vdekur, të cilët edhe pritet të largohen nga lista votuese.
Është bërë shqyrtimi dhe miratimi i Formularëve për Aplikim për Votim Jashtë Kosovës për të cilin është bërë një thjeshtëzim për votim online.
Rama po ashtu ka thënë se Këshilli e ka trajtuar vitin e kaluar dhe ka identifikuar disa defekte që kanë ndodhur në zgjedhjet e kaluara dhe japim disa rekomandime që të ketë organizim të qartë për trajnime.
“Të ketë përgjegjësi e adresë të caktuar për trajnime. Jashtë vendit tonë ato janë të centralizuara. Duhet patur një koordinim. Anëtarët e këshillave në vendvotime duhet të trajnohen njëjtë në të gjitha komunat”, tha Rama.
“Sekretariati ka analizuar të gjithë qendrat e votimit. Kërkohet që të gjitha qendrat e votimit të kenë pjerrinat për personat me nevoja të veçanta. Të përdoren sa më shumë shkollat fillore si vendvotime sepse janë më afër qytetarëve”, shtoi ai.
Në anën tjetër, Daka tha se shqyrtimi i Planit të veprimit të KQZ-së për adresimin e rekomandimeve nga Misioni i Vëzhgueseve të Zgjedhjeve i Bashkimit Evropian nga zgjedhjet e vitit 2019, vështirë se do të zbatohet për këtë vit.
“Shumica e këtyre rekomandimeve ndërlidhen me ligjin për zgjedhje që nënkupton reforma. Rekomandimet që vijnë nga misioni i BE-së nuk do të mund të zbatohen”, ka thënë Sami Hamiti.