Të gjithë qytetarët me të drejtë vote nuk ka nevojë që të presin periudhën zgjedhore për ta mësuar se ku është qendra e tyre për të votuar apo që ta ndërrojnë atë dhe ta caktojnë sa më afër vendbanimit të tyre, raporton Ekonomia Online.
Duke filluar nga dita e sotme, KQZ-ja ka lansuar shërbimin e përhershëm për qytetarët me të drejtë vote që votojnë në Republikën e Kosovës, përmes së cilit bëhet e mundur që ta gjejnë dhe nëse duan edhe ta ndërrojnë Qendrën e Votimit brenda komunës së tyre.
Platforma është e vendosur në ueb faqen e KQZ-së: www.kqz-ks.org ose mund të gjindet direkt në: eomp.kqz-ks.org
Kjo fushatë e KQZ-së për këtë shërbim, është lansuar në një konferencë të përbashkët nga Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.
Fillimisht, Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tregoi më shumë se çfarë aktualisht po bënë KQZ-ja me qëllim të zbatimit të detyrimeve që dalin nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në muajin qershor të këtij viti nga Kuvedi i Kosovës.
Sipas tij, me hyrjen në fuqi të të cili, sistemi zgjedhor në Republikën e Kosovës ka pësuar disa ndryshime, përfshirë procesin e votimit brenda, por edhe jashtë vendit, prandaj KQZ-së është duke punuar në përgatitjen e akteve nënligjore apo Rregulloreve Zgjedhore për administrimin dhe organizimin e zgjedhjeve.
“Në muajin qershor të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe me hyrjen e tij në fuqi, sistemi zgjedhor në Republikën e Kosovës ka pësuar disa ndryshime, përfshirë procesin e votimit brenda, por edhe jashtë vendit. Në këtë drejtim, KQZ-ja është duke punuar në përgatitjen e akteve nënligjore apo Rregulloreve Zgjedhore për administrimin dhe organizimin e zgjedhjeve në Repubikn e Kosovës. Ky proces, do të përfshijë regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, emërimin e trupave zgjedhore, listën votuesve, certifikimin e subjekteve politike dh kandidatëve të tyre, qendrat e votimit, fletëvotimet, votimin, rezultatet, qendrat komunale të numërimit të votave, regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovë, fushatën e zgjedhjeve, e çështje të jera. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke i trajtuar me shumë shumë seriozitet ndryshimet ligjore që dalin nga ky ligj dhe se po ndërmerr hapa konkretë në zbatimin e tyre”, tha Radoniqi.
Më tej, Radoniqi bëri të ditur se përmes këtij shërbimi për ndërrimin e Qendrës së Votimit, KQZ-ja po zbaton një nga dipozitat e ligjit të ri për zgjedhjet, e cila saktëson se Lista e votuesve do të jetë publike edhe në vitet jozgjedhore, ku votuesit do të kenë mundësi që të njoftohen lidhur me qendrat e votimit dhe të kërkojnë ndërrimin e tyre.
Ndërkaq, Zëdhënësi i KQZ-së, Elezi, njoftoi se përmes këtij shërbimi, qytetarët me të drejtë vote mund ta caktojnë vetën të votojnë sa më afër vendbanimit të tyre.
“Ky shërbim i KQZ-së ‘Gjej dhe ndërro Qendrën e Votimit’ do të jetë i përhershëm. Pra, edhe gjatë viteve jozgjedhore, qytetarët me të drejtë vote do të kenë mundësi që të njoftohen lidhur me qendrën e tyre të votimit dhe nëse duan mund të kërkojnë ndërrimin e saj brenda komunës. Për shumë palë zgjedhje, pa fajin tonë, shumë prej votuesve mund të kenë qenë të caktuar në Qendra të Votimit të cilat kanë qenë larg lagjes apo adresës së tyre të vendbanimit. Prandaj, përmes ofrimit të shërbimit ‘Gjej dhe ndërro Qendrën e Votimit’ KQZ-ja ua mundëson qytetarëve me të drejtë vote që ta mësojnë qendrën e tyre të votimit, por edhe ta ndërrojnë atë, duke e caktuar vetën që të votojnë sa më afër adresës së vendbanimit të tyre”, bëri të ditur Elezi.
“Nëse votuesi dëshiron që ta ndërrojë Qendrën e Votimit brenda komunës së tij, këtë mund ta bëjë duke klikuar në butonin “dërgo kërkesën për ndryshim”. Në këtë rast, votuesi mund të zgjedhë Qendrën e Votimit që është më afër adresës së vendbanimit të tij, në mënyrë që aty të mund të votojë në zgjedhjet e ardhshme. Pasi votuesi të zgjedhë Qendrën e Votimit ku dëshiron të caktohet, ai duhet të plotësojë edhe të dhënat që kërkohen: Adresa e vendbanimit, e-mail adresa dhe të bashkangjes një kopje të dokumentit të identifikimit. Pasi kërkesa të dërgohet për shqyrtim në KQZ, brenda një kohe të shpejtë do të marrë përgjigje”, shpjegoi Elezi.
Sipas KQZ-së, përveç platformës online, ndërrimi i Qendrës së Votimit mund të bëhet edhe në Zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, varësisht se nga cila komunë është votuesi.