Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur të martën, në kuadër të përgatitjes për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut, mori vendim për miratimin e udhëzimit administrativ për masat mbrojtëse për parandalimin e infeksionit me COVID-19 për votuesit dhe stafin zgjedhor në ditën e zgjedhjeve, raporton Ekonomia Online.
Ky vendim i KQZ-së u tha se u miratua pas rekomandimeve të institucioneve shëndetësore.
Qëllimi i këtij udhëzimi sipas KQZ-së është përcaktimi i masave mbrojtëse për parandalimin e infektimit me COVID-19 për votuesit dhe stafin zgjedhor në hapësirat ku mbahen zgjedhjet, përcaktimi i masave mbrojtëse gjatë procesit të numërimit të fletëvotimeve në vendvotime si dhe përcaktimi i masave mbrojtëse gjatë dorëzimit dhe pranimit të materialit zgjedhor.
Ditë më parë, KQZ-ja ka miratuar edhe udhëzimin për votimin e personave të cilët për shkak të testit pozitiv me COVID-19 janë në karantinë shtëpiake dhe personave të cilëve u është caktuar masa e vetizolimit.
Në lidhje me këtë çështje, KQZ-ja miratoi edhe afatin për identifikimin dhe konfirmimin për votuesit nga kjo kategori.
Sipas vendimit të KQZ-së ky afat është nga data 25 nëntor deri më 26 nëntor 2020.