Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka deklaruar se në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR) është duke u bërë procesimi i formularëve për subjektet politike dhe kandidatëve për deputetë.
Elezi në një prononcim për Ekonomia Online tha se me shpalljen e rezultateve përfundimtare do të bëhet shpallja e rezultateve të kandidatëve për deputetë.
“Me shpalljen e rezultateve përfundimtare do të bëhet shpallja e rezultateve të kandidatëve për deputetë të secilit subjekt politik. Aktualisht në QNR është duke u bërë procesimi i formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe kandidatëve të cilat janë duke u regjistruar në bazën e të dhënave. Gjithashtu është duke u bërë regjistrimi edhe i votuesve të rregullt që kanë votuar në vendvotim në ditën e zgjedhjeve. Që procesi të përmbyllet ne duhet të numërojmë votat me postë, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta, rezultatet e të cilave i bashkohen rezultatet të vendvotimeve të rregullta”.
Elezi theksoi se KQZ-ja është duke punuar maksimalisht derisa thotë se në javën e ardhshme do të kompletohet numërimi i votave me kusht dhe personave me nevoja të veçanta.
“Jemi duke punuar maksimalisht, nga java e ardhshme do të mund ta kompletojmë procesin e votuesve të rregullt dhe të atyre me kusht, si dhe do të bëhet verifikimi i tyre në mënyrë që ne të mund të fillojmë numërimin e votave me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta”, tha ai.
I pyetur nga Ekonomia Online se kur do të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare, Elezi tha se është e vështirë për të caktuar një datë të saktë derisa rikujton se në zgjedhjet e mëparshme KQZ-ja i janë nevojitur 20 ditë deri të shpallja përfundimtare e rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë.
“Shpallja e rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së, është vështirë ta themi pasi ne varemi nga procedura ligjore dhe dinamika e të gjitha punëve të cilat janë të parapara të zhvillohen në QNR. Si rikujtim në zgjedhjet e vitit 2014 dhe 2017 të cilat kanë qenë të parakohshme. KQZ-së iu janë dashur rreth 20 ditë për të arritur deri te shpallja përfundimtare e subjekteve politike dhe kandidatëve”, ka thënë ai për Ekonomia Online.