Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi dokumentin për votimin me asistencë në vendin tonë nga zgjedhjet e fundit parlamentare të cilat janë mbajtur në tetorin e vitit 2019, raporton Ekonomia Online.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi shpjegoi se votimi me asistencë është një mundësi të cilën e ofron ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Sipas ligjit, një votues me aftësi të kufizuar, që nuk është në gjendje të shënojë ose të hedh fletëvotimin apo është analfabet, mund të marrë ndihmë nga një person tjetër i zgjedhur nga votuesi.
Duke folur për punën e KQZ-së në periudha jo-zgjedhore, Elezi u shpreh se ky institucion është angazhuar çdo herë pas të gjeturave nga zgjedhjet të përmirësojë dhe avancojë aspektet e ndryshme të procesit zgjedhor, brenda mundësive që ofron ligji aktual.
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, gjatë zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019, nga rreth 827 mijë votues sa kanë votuar në vendvotime në të gjithë Kosovën, 55,961 votues kanë votuar me asistencë apo 6.76%, tha Besnik Buzhala nga ky institucion.
Gjithashtu, sipas analizës së KQZ-së, numri më i madh i votuesve që kanë kërkuar asistencë është në vendvotimet të cilat ndodhen në fshatra.
Në 944 vendvotime që gjenden në qytete: 31% apo 17 463 votues kanë votuar me asistencë, kurse në 1,592 vendvotime që gjenden në fshatra: 69% apo 38 498 votues kanë votuar me asistencë, raporton EO.
Nga numri i përgjithshëm i votuesve me asistencë, KQZ-ja ka analizuar të dhënat për 9 074 votues. Ajo që bie në sy është se 6 586 votues (72.58%) që kanë kërkuar asistencë gjatë votimit janë të gjinisë femërore, ndërsa 2 488 votues janë të gjinisë mashkullore (27.41%).
Dokumenti në fjalë përmban edhe shumë detaje të tjera dhe sipas KQZ-së do të publikohet në ueb faqe të këtij institucioni.