KQZ-ja konfirmon: Nuk e rekomandojmë shtyrjen e zgjedhjeve në veri

Prishtinë | 10 Dhj 2022 | 11:23 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka dhënë rekomandim për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të cilat do të mbahen më 18 dhe 25 dhjetor 2022, raporton Ekonomia Online.

Kjo u bë e ditur në mbledhjen e së shtunës të KQZ-së, vetëm një ditë pasi ky institucion mbajti mbledhje me dyer të mbyllura.

Sipas anëtarëve të KQZ-së janë institucionet e sigurisë që u takon të flasin për sigurinë.

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Arianit Elshani, thotë se kanë dërguar një shkresë tek presidentja, Vjosa Osmani, por se e njëjta nuk ka fare të bëjë me shtyrjen e zgjedhjeve në komunat veriore.

Elshani, në mbledhjen e sotme të KQZ-së, tha se në atë shkresën e kanë informuar presidenten për përgatitjen e mbajtjes së zgjedhjeve më 18 dhe 25 dhjetor në veri.

Elshani tha se situata deri tani është e menaxhueshme dhe se përgatitjet janë duke vazhduar me rregull.

“Takimin e djeshëm e konsideroj si konsultativ për të cilin mund të merret vendim, as nuk është votuar por ka qenë shprehje e vullnetit të anëtarëve se KQZ-ja nuk mund të rekomandojë shtyrjen e zgjedhjeve. Të bëhet publike shkresa e dërguar presidentes dhe të kuptohet se KQZ-ja vetëm ka informuar presidenten me mbarëvajtjen e përgatitjeve të zgjedhjeve”.

“Në atë shkresë është specifikuar se KQZ-ja vazhdon me përgatitjen e zgjedhjeve dhe kërkon që të garantohet lëvizja e lirë e çdo qytetari dhe që bandat kriminale atje të kufizojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të pengojnë qytetarët në shprehjen e vullnetit të tyre në ditën e zgjedhjeve. Prandaj, kërkojë që kjo shkresë të bëhet publike dhe të qartësohet edhe publiku”.

Edhe Ilir Gashi tha se është konstatuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm të mbajë zgjedhjet.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj, tha se zyrtarët komunalë të KKZ në veri kanë deklaruar se nuk i ikin përgjegjësisë në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve.

Ndërsa anëtari Sami Hamiti nga LDK, tha se mbledhja e mbrëmshme nuk ka qenë e fshehur, por ka qenë mbledhje e mbyllur për media.

KQZ ka miratuar zgjatjen e afatit për këshillat në vendvotimeve në komunat e veri. KQZ po ashtu certifikoi edhe 14 kandidatë në garë për Kuvendin Komunal të Leposaviqit. KQZ njoftoi se nuk ka pasur kërkesë për tubime politike nga subjektet politike në veri dhe se zyrtarisht fushata ka filluar para tre ditësh.

Të ngjashme