Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka marrë vendim se kur do të fillojë rinumërimi i 1472 vendvotimeve, për të cilat morri vendim Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), raporton Ekonomia Online.
Kjo pasi ende nuk kanë marrë konfirmim nga Supremja në lidhje me ankesat e mundshme.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, kryesuese e mbledhjes së KQZ-së, ka njoftuar se ditëve në vijim do të filloj rinumërimi i 1472 kutive të rinumërimit.
“Kemi pranuar dy vendime nga PZAP, në një vendim jemi obliguar që të rinumëroj 1472 kutia. Sipas Gjykatës supreme deri në orën 15:00 nuk është ankuar askush sa i përket këtij vendimi dhe ky vendim bëhet i plotfuqishëm dhe jemi te obliguar t’i numërojmë”, u shpreh Daka.
Kryesuesi Ekzekutiv i SKQZ-së, Enis Halimi, njoftoj se janë gati për rinumërim janë gati dhe do të rrisin kapacitetet për vëzhgimin e këtij procesi.
“E kemi parë raportin se sa verifikimi janë dhe sa kuti do të shkojnë në rinumërim. Sekretariati do të zgjeroj kapacitet aq sa nuk e cenojnë procesin e vëzhgimit. Jemi duke i bërë përgatitjet në QNR dhe presim nga KQZ që të procedojmë”.
“Jemi në lloj presioni për shkak të zgjatjeve të afatit kohor që nuk është bërë nga ana jonë. Rinumërimet do të zhvillohen pasi të plotësohen kriteret ligjore”, tha Halimi.
Anëtarja e KQZ-së, nga VV-ja Nazlie Bala, kanë kërkuar që të shtohen kapacitete në QNR në mënyrë që ky proces të përfundojë sa më shpëjt.
“Kërkoj të shtoj numrin e tavolinave pasi ka hapësirë. Si dhe të ngritën kapacitet sa i përket këtij procesi të rinumërimit që ta përfundojmë më kohë”, kërkoj ajo.
Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga PDK-ja, ka kërkuar që mos të ngutën me procesin e rinumërimit.
“Ne nuk kemi ndonjë informatë se kur janë shpërndarë kopjet vendimit mbi rezultatin që ne e kemi shpall. Kisha dashtë që mos të ngutemi. Ata janë brenda afatit ligjore”, tha Gashi.
PZAP-ja ka marrë vendim që pas 52 ankesave që janë bërë, të ketë rinumërim të 1472 vendvotimeve.
Po ashtu PZAP, ka marrë vendim në favor të ankesës së koalicionit Nisma-AKR-PD lidhur me votat e Serbisë.
“Lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, ka vendosur që të pranoj të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në, që të largoj nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Javën e kaluar KQZ bëri shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, ndërkaq Nisma kundërshtoi këto rezultate duke akuzuar KQZ-së se i ka fabrikuar.