Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) këtë të hënë pritet të bëjë zëvëndësimin e gjashtë mandateve të lëna nga deputetët e PD-së dhe LSI-së.
Në rendin e ditës të mbledhjes, KQZ ka parashikuar dhënien e mandatit të deputetit Astrit Veliajt, kandidatit të listës shumëemërore të Partisë Demokratike, Qarku Berat, Lefter Maliqi.
Ndërsa vendin e lënë bosh nga Viktor Tushaj i LSI-së në Lezhë do ta zërë Elda Hoti.
Sakaq, Nora Malajn, e zgjedhur deputete e LSI-së në Durrës e zëvendëson Edlira Hyseni. Mandatin e Vangjel Tavos po nga LSI-ja në Gjirokastër, KQZ-ja do t’ia japë Ediola Brahës.
Ndërsa vendet e dy demokratëve Gent Strazimiri dhe Klevis Balliu në Tiranë dhe Korçë do t’i zënë në Kuvend respektivisht Ajlinda Halilaj dhe Ligoraq Karamelo.
Gjashtë deputetët e rinj do të betohen në seancën e ardhshme parlamentare. Ata e çojnë në 10 numrin parlamentarëve të zëvendësuar, shkruan Top Channel.
Pas betimit edhe të këtyre gjashtë deputetëve, Parlamenti shkon në kuotën e 92 deputetëve. Nëse votat e tyre ata do t’i bashkojnë me ato të mazhorancës, kjo do të thotë miratim edhe i atyre projektligjeve që kërkojnë 84 vota.
Në rendin e ditës po ashtu KQZ do të diskutojë edhe kërkesat e 4 partive të cilat do të garojnë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.