KQZ mund të mbetet pa kryetare

Prishtinë | 16 Maj 2017 | 12:09 | Nga

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të mbetet pa kryetare ende pa u shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme.

Kjo mund të ndodhë nëse Gjykata Kushtetuese merr vendim në favor të Valdete Dakës, për t’u bërë kryetare e Gjykatës Supreme.

Këtë vendim, Gjykata Kushtetuese duhet ta marr pesë ditë pas datës së zgjedhjeve, pra me 16 qershor, pasi pikërisht në këtë datë skadon afati i masës pezulluese që i është vënë emërimit të Enver Pecit në krye të Supremës.

Me 16 mars, Daka e pati kontestuar vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të datës 6 mars 2017, me anë të të cilit Peci ishte emëruar kryetar i Gjykatës Supremës, shkruan AktivPress

Të njëjtën ditë, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi e pati caktuar gjyqtaren Snezhana Botusharova si gjyqtare raportuese dhe kolegjin shqyrtues në përbërje të: Almiro Rodrigues (kryesues), Ivan Cukalovic dhe Selvete Gerxhaliu-Krasniqi.

Pas shqyrtimit të lëndës qe vendosur që të pezullohet procedura e emërimit të kandidatit për kryetar të Gjykatës Supreme nga Presidenti i Republikës së Kosovës.

“Vazhdimi i kësaj mase të përkohshme do të zgjasë deri më 16 qershor 2017”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Me vendimin e 16 qershorit, duhet të njoftohet presidenti, pasi ai është autoriteti që e emëron kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Me Kushtetutë është e përcaktuar që kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të jetë nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatave me juridiksion apeli.

Me 16 qershor, mund të jenë të përfunduara zgjedhjet vetëm në rast se nuk evidentohen parregullsi në asnjë vend-votim apo në Qendër të numërimit të votave.

Nëse merret parasysh përvoja nga e kaluara, atëherë duhet llogaritur që edhe në këto zgjedhje do të ketë ankesa nga subjektet politike për parregullsi të mundshme zgjedhore. (AktivPress)

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme