KQZ: Nuk është raportuar asnjë problem apo ankesë gjatë numërimit të votave

Prishtinë | 13 Qer 2026 | 17:19 | Nga Ekonomia Online

Ka përfunduar numërimi i votave nga diaspora, ndërsa gjatë ditës së sotme po zhvillohet procesi i vlerësimit të votave të ardhura me postë, të cilat më pas do t’i nënshtrohen numërimit.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka bërë të ditur se procesi i deritanishëm ka kaluar pa probleme dhe pa ankesa.

“Në përgjithësi procesi ka shkuar mirë. Nuk ka pasur ndonjë problematikë dhe as ndonjë ankesë, qoftë në qendrat komunale të numërimit apo në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, tha Elezi.
Sipas tij, në të 38 komunat janë numëruar dhe verifikuar gjithsej 2,498 vendvotime, aq sa ishin edhe në ditën e zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Brenda një periudhe gjashtëditore kemi arritur ta përmbyllim këtë proces, i cili ka përfshirë verifikimin e rezultateve të subjekteve politike dhe, për herë të parë, numërimin e votave të kandidatëve për deputetë”, theksoi ai.
Sa i përket votimit në përfaqësitë diplomatike, Elezi bëri të ditur se kanë qenë 47 vendvotime në 30 përfaqësi diplomatike dhe se janë numëruar mbi 22 mijë fletëvotime.

“Numri i votuesve të regjistruar ka qenë rreth 28 mijë, ndërsa pjesëmarrja ka arritur në rreth 23 mijë votues”, deklaroi ai.
Procesi që ka mbetur ende pa u përmbyllur është ai i votave me postë. Sipas KQZ-së, votimi është realizuar përmes 23 kutive postare, nga të cilat janë tërhequr mbi 85,700 pako me fletëvotime.

Deri tani janë vlerësuar më shumë se 60 mijë pako, ku pjesa dërrmuese është aprovuar, ndërsa mbi 2 mijë janë refuzuar.

“Arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë mungesa e ftesës së regjistrimit, dokument unik që votuesi e pranon gjatë procesit të regjistrimit për votim”, sqaroi Elezi.

Të ngjashme