Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se janë mbyllur në kohën e paraparë të gjitha vendvotimet në komunën e Drenasit.
Në konferencën e orës 19:30, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se në votimet për kreun e Drenasit, kanë marrë pjesë 23 861 votues, ose 45.39 për qind e trupit zgjedhor.
Kjo pjesëmarrje është me e lartë se në zgjedhjet e raundit të parë, që u mbajt më 4 dhjetor, kur votuan 21 318 votues apo 40.55%.
Kryetarja Daka, në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, falënderoi të gjithë qytetarët e komunës së Drenasit që shfrytëzuan të drejtën e tyre për të votuar dhe për kulturën e lartë demokratike të treguar gjatë procesit të votimit.
Po ashtu, Daka falënderoi edhe Këshillat e Vendvotimeve për punën e bërë gjatë tërë procesit të votimit dhe i inkurajoi që gjatë procesit të numërimit t’i zbatojnë të gjitha procedurat e numërimit me qëllim që vullneti i qytetarëve të dërgohet në vend.
Në fund, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh falënderime edhe për institucionet tjera, Policinë e Kosovës dhe Prokuroruinë e Shtetit, duke çmuar lartë punën e tyre gjatë gjithë ditës së sotme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se duke filluar nga ora 19:00 fillon të rrjedhë afati 24 orësh për paraqitjen e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).