KQZ publikon rezultatet preliminare të raundit të dytë zgjedhor

Prishtinë | 09 Nën 2025 | 21:49 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka shpallur rezultatin preliminar të zgjedhjet lokale në raundin e dytë ku garuan 18 komuna, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar në zhvillimin e një softueri të ri për transmetimin e rezultateve preliminare nga vendvotimet.

 “Para se të fillojmë me publikimin e rezultateve të përmbledhura të cilat po shfaqen në këtë platformë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh mirënjohje dhe falënderim për Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar që ka mbështetur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në zhvillimin e një softueri të ri për transmetimin e rezultateve preliminare nga vendvotimet, por edhe në procesin që do të zhvillohet në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, tha Radoniqi.

Ai shtoi se në kuadër të këtij projekti, KQZ ka bashkëpunuar me kompaninë BAE Systems Digital Intelligence nga Mbretëria e Bashkuar dhe me partnerin e saj lokal Arcus Security, për zhvillimin e softuerit dhe sigurimin e zgjidhjeve përkatëse të sigurisë në teknologjinë e informacionit.

“KQZ shpreh mirënjohje të thellë për mbështetjen e fuqishme të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar në këtë aspekt me rëndësi të veçantë për zgjedhjet në Republikën e Kosovës,” përfundoi ai.

Radoniqi më pas bëri publik rezultatet preliminare të balotazhit për komunat e Kosovës:

Gjakovë: Ardian Gjini – 56.03%

Gjilan: Alban Hyseni – 61.06%

Klinë: Zenun Elezaj – 58.02%

Fushë Kosovë: Valon Prebreza – 54.99%

Mitrovicë: Faton Peci – 53.53%

Prishtinë: Përparim Rama – 51.54%, ndërsa Hajrulla Çeku – 48.44%

Dragash: Bexhet Xheladini – 58,45%

Kacanik: Sabedin Vishi – 51,86%

Rahovec: Smajl Latifi – 53,59%

Obiliq: Halil Thaci – 51,09%

Pejë: Gazmend Muhaxheri – 61,15%

Prizren: Shaqir Totaj – 53,86%

Suharekë: Bali Muharremaj – 55,60%

Viti – Sokol Haliti – 50,60%

Vushtrri: Ferit Idrizi – 54,27%

Junik: Ruzhdi Shehu – 55,92%

Mamushë: Abdulhadi Krasnic – 53,58%

Kllokot: Bozidar Dejanovic – 90,03%.

Për komunën e Mitrovicës, Radoniqi pati një sqarim.

“Një informacion shtesë per Mitrovicën e Jugut, nuk janë futur ende dy vendvotime dhe do të shtohen më vonë në platformë, tha ai.

Të ngjashme