Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, rreth shtyrjes së regjistrimit të popullsisë në Kosovë ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për ndërhyrje politike dhe fshehje të shifrave reale.
Po ashtu, ai e ka cilësuar këtë akt si një shkelje të qëllimshme të ligjit.
Sipas Krasniqit, kjo është hera e tretë që regjistrimi i popullsisë shtyhet, dhe ai e ka konsideruar këtë si një tregues i paaftësisë dhe mospërgjegjësisë së qeverisë.
“Qysh herët kam paralajmëruar se regjistrimi i popullsisë nuk do të bëhet këtë vit – dhe kjo po ndodh qëllimisht nga vet Kryeministri Kurti. Shtyrja e regjistrimit, për herë të tretë, tashmë për në prill të vitit të ardhshëm, dëshmon se paaftësia, shkelja e ligjit, ndërhyrjet politike dhe fshehja e shifrave reale – e karakterizojnë këtë Qeveri dhe këtë proces që nga fillimi!”, ka shkruar Krasniqi në një postim në Facebook.