Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ka shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Statistikat zyrtare të Kosovës.
Isa Krasniqi kryeshef i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) ka thënë se gjatë punës që kanë bërë kanë konstatuar që disa pika që e funksionalizojnë edhe më shumë ASK-në të ndryshohen. Sipas tij, janë dy pika të rëndësishme që duhet ndryshuar, raporton Ekonomia Online.
“Pika e parë që ka të bëjë me mandatin e kryeshefit që në mandatin e vjetër ka qenë 3 vjet dhe ne kemi rekomanduar që mandati të jetë deri në 7 vjet dhe pika tjetër është që Agjencinë e vendos në kuadër të Zyrës së kryeministrit dhe rekomandimi është që të mbetet siç ka qenë ose të kalojë më kuadër të Kuvendit. Këto janë çështje ku ASK-ja është e fokusuar”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka folur për paragrafët që EUROSTAT-i i ka dërguar tri rekomandime kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit.
“Tek paragrafi i dytë thuhet që ndryshimi i propozuar bënë ASK-në varëse të një ministrie, kjo dispozitë ndikon ndjeshëm dhe në këtë mënyrë nuk do të jetë plotësisht e pavarur. Në rregulloren e Komisionit Evropian e cila i jep pavarësi institucioneve të statistikave dhe në këtë mënyrë nuk po merren parasysh zhvillimet e fundit. Ne kërkojmë që të tërhiqen këto propozime”, ka theksuar Krasniqi.
Mentor Burovci nga Zyra ligjore e kryeministrit ka thënë se sa i përket mandatit të shefit ekzekutiv duhet ta kenë parasysh që ky ligj ka një varësi edhe nga disa ligje të tjera.
“Qeveria do të marr vendim se në kuadër të cilit mekanizëm do të jetë ASK-ja, por nuk përjashtohet mundësia që të mbetet në kuadër të Zyrës së kryeministrit”, ka thënë ai.
Deputeti nga radhët e AAK-së, Lahi Brahimaj, kërkoi të dijë se përse në mandatin e kaluar është insistuar që ASK-ja të mbetet në kuadër të kryeministrisë dhe tani po kërkohet që të hiqet.
Kryeshefi i ASK-së Isa Krasniqi tha se Agjencia kërkon që të mbetet në kuadër të Kuvendit për shkak të pavarësisë dhe në kuptimin e arritjes së standardeve.
Si pikë tjetër në fund të mbledhjes Komisioni unanimisht ka vendosur që të kërkohet nga KPM-ja t’i jap përgjigje IPKO-s rreth operimit të operatorëve ilegal.
Kjo kërkesë ishte e operatorit mobil IPKO drejtuar Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media.