Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se asnjëherë nuk i ka parë më të shqetësuar dhe të zhgënjyer partnerët ndërkombëtarë se sa tani, raporton Ekonomia Online.
Ai pas takimit me të dërguarin e posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe atë të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se nga ta janë informuar në detaje për gjendjen dhe kërkesat.
Sipas tij, nuk ishte e lehtë që nga partnerët strategjik të Kosovës të dëgjohen ankesa karshi veprimeve të institucioneve.
Ai pohoi se PDK-ja do të vazhdojë që të ketë konsultime ditore me të gjitha personat përgjegjës edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në atë pjesë.
Por shtoi se kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani po krijojnë kriza të panevojshëm në vazhdimësi.
Osmani, thotë ia si komandante supreme deri më tash nuk ka pasur deklarim zyrtar edhe për përjashtim e Kosovës nga ushtrimi më i madh “Defender 2023”.
“Diskutuam për zhvillimet e fundit. Dëgjuam qëndrimet që janë të njohur. Shqetësimi është i madh është se nuk ka lëvizje përpara, po dëmtohet Kosova. Shprehëm gatishmërinë për të ruajtur relacionet me ShBA-në, nuk është diktuar për tema konkrete. Nuk ka pasur kërkesa përtej informimit për situatën. Asnjëherë nuk kam pa aq shqetësim nga partnerët, nuk është e lehtë të dëgjosh që ata të shprehin zhgënjim kaq të thellë”.
“Zgjidhja është Qeveria, përgjegjësitë janë te Qeveria, te presidentja. Populli i ka zgjedhë këta njerëz për t’i zgjidhur problemet, jo për t’i krijuar. Ne kemi vetëm kriza për këto dy vjet të shkaktuara nga kryeministri i Kosovës, të mbështetura nga presidentja. Është e paarsyeshme që presidentja të vazhdojë të heshtë. Ajo ka përgjegjësi dhe mes tjerash është edhe komandante supreme e Ushtrisë së Kosovës dhe përjashtimi i saj nga stërvitja Defender Europe nuk mund të merret me këtë qasje injoruese. Ajo duhet të flasë edhe për shuarjen e ëndrrës së 1000 ushtarëve tanë. Kërkesat janë publike ne i dimë”.
“PDK ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë këtyre ditëve, sidomos pas të premtes ku Qeveria pa koordinim, në mënyrë të fshehur ka ndërmarrë veprime që e kanë sjellë këtë situatë, por ne do të jemi në konsultim ditor brenda nesh dhe me kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut për të parë se cilat janë veprimet e duhura për të shkuar përpara”.