Drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se spitalet e përgjithshme dhe QKUK-ja janë të stërmbushura me pacientë, raporton EO.
Ai megjithatë ka thënë se në dy-tre ditët e fundit ka pasur një tendencë të rënies së numrit të atyre që po kërkojnë trajtim spitalor.
“ShSKUK tashmë ditëve të fundit është përballur me një numër të madh të pacientëve si pasojë e numrit të madh të rasteve të reja të infektuara. Para katër-pesë ditësh kemi pasur numrin më të madh të pacientëve që kanë marrë trajtim spitalor, rreth 1300, që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit të kaluar. Megjithatë ditëve të fundit ka një tendencë të lehtë, një rënie të numrit të rasteve që po kërkojnë spitalizim dhe sot në shtatë spitalet e përgjithshme dhe QKUK po trajtohen rreth 1200 pacientë të prekur nga COVID-19”.
Krasniqi, në një konferencë për media, ka njoftuar se nuk ka pasur asnjëherë numër më të madh të pacientëve të hospitalizuar që janë në oksigjeno-terapi.
“Na brengos numri i vdekjeve, mirëpo nga 1209 pacientë që sot po trajtohen në spitale mbi 1000 prej tyre janë në oksigjeno-terapi dhe kjo ka të bëjë me agresivitetin e sëmundjes. Asnjëherë nuk kemi pasur numër kaq të madh të rasteve që kanë pasur nevojë për oksigjeno-terapi. Jemi në javën e katërt që nga fillimi i rritjes së rasteve dhe nga aspekti shkencor te infeksionet respiratore karakterizohen me mundësi më të madhe të paraqitjes së komplikimeve në mushkëri dhe këtë po e vërejmë edhe ne si ShSKUK”.