Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë homazhe me rastin e shënimit të 17-vjetorit të vrasjes së zyrtarit policor, Triumf Riza duke thënë se është fatkeqësi, që drejtësia ende nuk ka.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se Riza ishte një nga oficerët më të përkushtuar dhe më të aftë kundër krimit të organizuar, raporton Ekonomia Online.
“Kanë kaluar 17 vjet, por dhembja ndjehet po aq e freskët, si në ditën kur e humbëm atë. Triumf Riza ishte më shumë se një mik; ai ishte një forcë e natyrës me vullnet të hekurt, i vendosur për të bërë gjëra të mëdha në jetë. Edhe në ditët tona të shkollës së mesme, prania dhe personaliteti pozitiv i tij, ishin diçka që nuk mund t’i shpërfillje. Triumfi i barti me krenari këto cilësi në karrierën e tij me Policinë e Kosovës, ku u bë një nga oficerët më të përkushtuar dhe më të aftë, duke luftuar pa u lodhur kundër krimit të organizuar. Por, më 30 gusht 2007, një ditë e paharruar përgjithmonë në kujtimet tona, Triumfi na u vodh në një akt frikacak dhe tinëzar, që shkatërroi jetë të shumta. Mungesa e tij është një plagë që nuk shërohet kurrë, veçanërisht për familjen e tij, e cila vazhdon të mbajë peshën e kësaj humbjeje”, ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi ka theksuar se mungesa e tij është plagë që nuk do të shërohet kurrë.
“Triumf, trashëgimia jote jeton përherë. Nuk do të harrojmë kurrë, shok i dashur!”, ka përfunduar Krasniqi.