Krasniqi: E pabesueshme të flasim për integrim evropian, kur BE-ja diskuton masat ndaj Kosovës

Prishtinë | 15 Qer 2023 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, duke folur për shqyrtimin e programit Kombëtar për Integrim Evropian gjatë seancës plenare në Kuvend, tha se është kontradiktore dhe mbase e pabesueshme të flasësh për këtë temë në kohën kur Bashkimi Evropian po diskuton vënien e masave ndaj Kosovës.

Sipas saj, “nuk po kërkohet miratim i ligjeve e reformave, por po kërkohet angazhim e zgjidhje konkretet, me qëllim të zhbllokimit të procesit të integrimit evropian dhe anëtarësimit në organizata të ndryshme”.

“Programit Kombëtar për Integrim Evropian, në përmbajtjen e vet nuk ka asnjë masë e veprim që ndihmon në avancimin e rrugës sonë në proces të integrimit në këtë fazë. Prandaj, duhet të pyesim veten se cili atëherë është efekti i miratimit të këtij programi në këtë proces dhe cilat janë përfitimet e institucioneve tona në proces të integrimit nga miratimi sot i këtij Programi”, shtoi ajo.

“Sot kemi për shqyrtim Programin Kombëtar për Integrim Evropian, sot kur jemi në mesin e vitit, e kur jemi tetë muaj pas publikimit të raporti për vendin. Sot, do të duhej të flisnim për zbatim të këtij plani e përmbushje të obligimeve duke ditur se deri më 30 qershor është afati kur jepet kontributi për raportin e ardhshëm për vendin e jo të merremi me miratim të tij ende. Prandaj, sot, duhet të pyesim se ku jemi me përmbushje të obligimeve të cilat i kemi në proces të integrimit e jo të jemi ende me diskutim të masave e veprimeve të cilat janë paraparë për këtë vit”, tha ajo në seancën e sotme.

“Programi Kombëtar për Integrim Evropian 2023-2027, përmban gjithsej 242 masa (prej të cilave 88 janë masa legjislative dhe 154 masa zbatuese). Nëse e shohim Programin, nga 88 masa legjislative, 9 masa janë planifikuar në tre mujorin e parë e 27 masa në tre mujorin e dytë, ndërsa nga 154 masat zbatuese, tashmë është dashur të kemi të përmbushura: 11 masa në tre mujorin e parë dhe 18 masa në tre mujorin e dytë, a thua a janë përmbushur këto masa siç kanë qenë të parapara nga vetë institucionet përgjegjëse”, tha ajo.

“Tani kur flasim për përmbajtjen e këtij Programi unë do fokusohem vetëm në disa pika; Bashkëpunimi rajonal dhe obligimet ndërkombëtare, Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, në Program thuhet, Republika e Kosovës është e përkushtuar të kontribuojë në mënyrë konstruktive në krijimin e kushteve të domosdoshme për zbatim të marrëveshjes së 27 shkurtit, se bashku me aneksin e miratuar me 18 mars 2023, me synim ndërtimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe përfundimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

Krasniqi shprehet se Kosova është e interesuar që sa më shpejt të përmbyllet zbatimi i marrëveshjes se fundit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe të punohet drejt një të ardhmeje të qartë të anëtarësimit në BE.

“Por, lidhur me këtë pjesë në Program nuk ka asnjë objektivë të parapara lidhur me adresimin e kësaj gjendjeje nga ana e institucioneve tona. Zhvillimet e fundit në vend flasin krejt diçka tjetër, sepse sot kemi një gjendje tjetër në teren dhe nga kjo që kemi në Program, nuk mund të mendojmë për përfundim të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, nuk mund të flasim për një të ardhme të qartë të anëtarësimit në BE, përveç që mund të flasim për masat dhe sanksionet të cilat mund të presim nga kjo qasje e institucioneve tona karshi këtij procesi”, theksoi ajo.

Për Krasniqin, “ne gjendemi në një fazë në të cilën institucionet tona parashohin veprime tjera e ndërmarrim masa krejt tjera nga ato të cilat i kanë proklamuar e kërkuar”.

“Duke qenë se ne si parti jemi angazhuar për avancimin e rrugës sonë evropiane, do e përkrahim këtë Program, por, do angazhohemi që të mos lejojmë ndërmarrjen e veprimeve të cilat nuk janë në dobi të avancimit të procesit të integrimit”, përfundoi ajo.

Të ngjashme