Krasniqi ka thënë se heshtja ndaj tyre u pa edhe në debatin e 12 tetorit në Kuevendin e Kosovës, sidomos ai I deputetëve të koalicionit qeverisës, shkruan lajmi.net.
“Kam bindjen e plotë se institucionet tona as që mendojnë t’i përgjigjen këtyre kërcënimeve sepse ato bartin një masë të përgjegjësisë për këtë defansivë diplomatike që na karakterizon. Defansivë ishte edhe debati që u zhvillua në Kuvendin e Kosovës më 11 e 12 tetor 2016, sidomos ai i partive të koalicionit qeverisës”, shkruan Krasniqi.
Teksti i plotë i tij:
LOGJIKA E VJETËR DHE KËRCËNIMET E REJA TË TOMISLLAV NIKOLIQIT
Më 10 prill të vitit 2014 reagova lidhur me intervistën që Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliqi, i kishte dhënë gazetës “Die Presse” të Austrisë. Në atë intervistë Tomisllav Nikoliqi përsëriti propagandën e moçme të regjimit të Millosheviqit për Çështjen e Kosovës dhe minimizoi skajshmërisht pasojat e politikës së gjenocidit që shteti serb kishte kryer në Kosovë.
Mohimi i gjenocidit serb në Kosovë dhe paraqitja e Serbisë si “viktimë e një komploti ndërkombëtar” ishte përgatitja e terrenit propagandistik për të kaluar në ofensivë diplomatike. Kjo ofensivë diplomatike e Serbisë kundër Kosovës arriti kulmin më 12 tetor 2016. I trimëruar nga vizita e tij në Rusi, Presidenti serb u kërcënua se ngjarjet mund të marrin kahe shumë të keqe dhe se Serbia është e gatshme të sillet me shqiptarët e Kosovës në të gjitha mënyrat e mundshme. Madje, fakti se ai përjashtoi mundësinë që dikush ta bombardojë përsëri Serbinë nxjerr në shesh se Serbia është duke u përgatitur të përsërisë skenarët e vjetër. Për ne është e qartë se logjika e vjetër nuk mund të prodhojë asgjë tjetër pos kërcënime të reja!
Por, a janë të vetëdijshme institucionet ndërkombëtare, sidomos ato që kanë për vokacion ruajtjen e paqes dhe sigurisë, se heshtja përballë këtyre kërcënimeve inkurajon pushtetin kriminal të Beogradit të nxisë konflikte të reja, që destabilizojnë tërë regjionin e brishtë të Ballkanit Perëndimor.
Sa janë të përgjegjshme institucionet shtetërore të Kosovës që t’i përgjigjen në mënyrë adekuate kërcënimeve dhe rreziqeve që na kanosen? Kam bindjen e plotë se institucionet tona as që mendojnë t’i përgjigjen këtyre kërcënimeve sepse ato bartin një masë të përgjegjësisë për këtë defansivë diplomatike që na karakterizon. Defansivë ishte edhe debati që u zhvillua në Kuvendin e Kosovës më 11 e 12 tetor 2016, sidomos ai i partive të koalicionit qeverisës.
Nëse dikush e bën veshin e shurdhër përpara këtyre kërcënimeve të reja, ne e kemi për borxh të rikujtojmë se gjatë luftës në Kosovë në periudhën 1998-1999, ushtria dhe policia serbe vrau 13290 persona, prej të cilëve 1450 ende konsiderohen të zhdukur. Nga numri i të vrarëve, 1392 ishin fëmijë ndërsa 1739 ishin gra. Krahas vrasjeve të civilëve të paarmatosur, ndaj 20400 grave u përdor dhuna seksuale.U rrënuan 123 objekte shëndetësore, 93 biblioteka, 30 shtëpi kulturore, 215 xhami, teqe dhe tyrbe të myslimanëve dhe 5 kisha katolike, 88101 shtëpi dhe objekte ndihmëse. Krimi i gjenocidit as nuk harrohet e as nuk falet. Gjenocidi pret ndëshkimin e merituar.
Jam plotësisht i vetëdijshëm se strukturat politike të regjimit aktual të Beogradit janë larg njohjes së krimeve që shteti i tyre u ka shkaktuar shqiptarëve dhe larg angazhimeve që përgjegjësit e krimeve të dalin para drejtësisë. Por, po e përsëris edhe një herë, atë që duhet ta dinë udhëheqësit e rinj të mentalitetit të vjetër të Beogradit qëndron në realitetin e ri se Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe këtë proces nuk mund ta kthejnë prapa as gënjeshtrat e diplomacisë serbe e as kërcënimet e udhëheqësve shtetërorë të Serbisë.
Duke përfunduar, nënvizoj faktin se klasa e sotme politike e Beogradit në krye me Nikoliqin e Vuçiqin, kanë dalë nga kapota e politikës luftënxitëse të Millosheviqit e te Sheshelit, dy të akuzuarve kryesorë për krime të luftës në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, të cilët ishin pjesë e të gjitha problemeve të krijuara në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe si të tillë nuk mund të jenë pjesë e zgjedhjeve të problemeve të krijuara nga vetë këta!