Krasniqi i përgjigjet Abdixhikut: Ta shkurtojmë kohëzgjatjen e fushatës konvencionale

Prishtinë | 02 Sht 2021 | 18:42 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka kthyer përgjigje kreut të LDK-së Lumir Abdixhiku i cili sot gjatë ditës përmes një letre ka propozuar që fushata zgjedhore prej 30 ditësh të shkurtohet në 10 ditë.

“Kjo tragjedi që po kushton me dhjetëra jetë të humbura të qytetarëve të Republikës së Kosovës për çdo ditë, na ka vënë e duhet të na vejë të gjithëve në lëvizje, duke parë përtej dallimeve politike, me qëllim që secili nga ne të përpiqemi të kontribuojmë në tejkalimin e kësaj situate të rëndë. Aq më tepër, situata na ndërgjegjëson që të përpiqemi të kontribuojmë në parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë të kësaj gjendjeje”, ka shkruar Krasniqi në letrën që ia ka kthyer Abdixhikut.

Krasniqi po ashtu ka thënë se PDK-ja konsideron se shëndeti i qytetarëve të Kosovës është prioritet themelor i cili duhet të mbrohet dhe të sigurohet para çdo agjende tjetër.

“Në vijim të letrës suaj, Partia Demokratike e Kosovës ndanë mendimin se, ndonëse është jashtëzakonisht vitale për demokracinë tonë që të sigurojmë mbarëvajtjen e zgjedhjeve në kohën e përcaktuar, si dhe nën masa që garantojnë transparencë të plotë dhe mundësi për pjesëmarrje aktive të qytetarëve në procesin e votimit, kjo duhet të bëhet në mënyrë të sigurt dhe duke garantuar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Andaj, ne mendojmë se kohëzgjatja e fushatës konvencionale, që nënkupton takimet dhe tubimet që kërkojnë prezencën fizike të kandidatëve dhe qytetarëve, duhet të shkurtohet”.

LEXO EDHE:

https://ekonomiaonline.com/politike/krasniqi-per-letren-e-abdixhikut-shkurtimi-i-fushates-gjithsesi-se-duhet-te-trajtohet/

Të ngjashme