Krasniqi ia kujton Kurtit kohën kur kishte refuzuar propozimin për t’iu ndarë para qytetarëve

Prishtinë | 13 Pri 2022 | 18:24 | Nga Ekonomia Online

Frashër Krasniqi i Partisë Social Demokrate, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për të ndarë nga 100 euro ndaj punonjësve të sektorit publik, privat, pensionistëve e studentëve.

Përmes një video të cilën e ka publikuar në profilin e tij në Facebook, Frashër Krasniqi i ka kujtuar kryeministrit Kurti që para disa kohësh e kishte refuzuar një ofertë të ngjashme të cilën ia kishte propozuar opozita.

“Ne nuk jemi të gjithë të njëjtë në shoqëri që të ndihmohemi njësoj. Dikush ka nevojë për ndihma më shumë, dikush më pak. Nuk besoj që një masë e tillë do të mund të ndihmonte në këtë kohë”, kishte deklaruar Kurti para mediave.

Frashër Krasniqi ka deklaruar se duke u bazuar në këto deklarata të Kurtit, shihet se ky vendim i Qeverisë është vetëm sa për të blerë paqe sociale dhe nuk ka asnjë efekt në rritjen e mirëqenies dhe barazisë në vendin tonë.

“Prej këtij vendimi përjashtohen krejt qytetarët që janë të papunë e të cilët kanë nevojë më së shumti për shtesa e ndihma të tilla. Pastaj, me këtë vendim 100 euro ka me i marrë sikur ai që e ka rrogën 200 euro, sikur ai që e ka 990. Pra si një punëtor/e e një marketi, ashtu edhe drejtori i tij, njëjtë kanë me i marrë”, ka thënë ndër të tjerash Krasniqi.

Të ngjashme