Krasniqi ia shpreh Hovenierit rezervat e PDK-së për propozimin evropian tashmë të pranuar nga kryeministri Kurti

Prishtinë | 13 Mar 2023 | 20:01 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka pritur sot në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier.

Krasniqi ka shkruar në Facebook se kishin një diskutim miqësor dhe konstruktiv në raport me zhvillimet e fundit politike në vend.

“Ambasadorit Hovenier i shpreha edhe një herë qëndrimin e PDK-së në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi dhe rezervat tona në raport me propozimin evropian tashmë të pranuar nga Kryeministri Kurti. Për ne, kjo marrëveshje është e pamjaftueshme dhe një mundësi e humbur për të arritur një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe me njohjen e ndërsjellë në qendër”, ka theksuar Krasniqi.

“Përkundër mbështetjes që PDK i ka dhënë Kryeministrit Kurti për dy vjet me radhë në procesin e dialogut dhe në raport me Serbinë, përmes gabimeve e veprimeve kryeneqe dhe në shpërputhje me kontekstin politik, ai ka dështuar që të arrijë përmbushjen e qëllimeve shtetërore të Republikës së Kosovës”.

Sipas njoftimit, Krasniqi e ka falënderuar ambasadorin Hovenier për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Kosovën, si dhe e ka siguruar që PDK-ja gjithmonë do të veprojë në përputhje ne interesin shtetëror dhe qytetar të Kosovës.

Të ngjashme