Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka bërë me dije se arritja e konsensusit kombëtar për temat e mëdha kërkon përgjegjësi të madhe dhe energji pozitive politike.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, Krasniqi ka thënë se për të arritur këtë qëllim nuk duhet të mungojë edhe vullneti politik.
Sipas tij, këtë vullnet politik ende nuk e kanë treguar drejtuesit shtetërorë.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Krasniqi ka thënë se për fazën finale të këtij procesi duhet të arrihet konsensusi në Kuvendin e Kosovës përndryshe, kështu si po ecën tani dialogu, duhet të ndërpritet.
Duke folur për paralajmërimet e opozitës për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, Krasniqi ka thënë se çështja e mocionit është e drejtë demokratike e opozitës, por ajo duhet t’i ketë numrat për të bërë një gjë të tillë.