Kreu i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka kritikuar ashpër diplomacinë e Kosovës.
Ka shkruar ta ketë intriguar një shkrim në mediat e Kosovës, se “Serbia është në ofensivë diplomatike kundër Kosovës”.
“Kjo po ndodh në kohën kur udhëheqësit e lartë të shtetit tonë, gjitha energjitë e tyre politike e ‘diplomatike’ i kanë orientuar në ‘normalizimin e marrëdhënieve’ me Serbinë. Me Serbinë e cila jo vetëm në krye të shtetit por edhe të diplomacisë i ka të angazhuar ekspertët e organizimit të politikave të gjenocidit në hapësirat e ish-Jugosllavisë në dekadat e fundit të shekullit XX. Madje kryediplomati ynë paska thënë: “Nuk ka shtet në Afrikë që Serbia nuk e ka një delegacion permanent që punon. Kanë paraparë një buxhet 300 milionësh, kanë angazhuar mbi 20 ekspertë në lëmin e diplomacisë që të vizitojnë shtetet qoftë për tërheqje të njohjes, qoftë për mos njohje të Kosovës”.
Krasniqi ka thënë se në një situatë të tillë natyrshëm shtrohet pyetja: Ku është diplomacia jonë dhe a kemi farë diplomacie?
“Ne, në Kosovë jo vetëm që nuk kemi arritur të ndërtojmë institucione të qëndrueshme të shtetit, por edhe më se keqi e kemi lënë diplomacinë. Aty ku do të duhej të ishte ajka e politikës diplomatike, ajka intelektuale dhe atdhetare. Një traditë e jona kombëtare thotë: ‘Mashkullin më të mirë, më të urtë, më të guximshmin, nxirre për punët jashtë familjes (shtëpisë)’! Si po duket jo vetëm në ketë rast, ne nuk kemi mësuar nga tradita jonë dhe nuk thuhet kotë ‘kush nuk mëson e pëson’”, ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi ka shkruar tutje se “ne kemi pasur ku të mësojmë se si i shërbehet kombit dhe atdheut, por thjeshtë nuk po dëshirojnë ata që i kanë mundësit e vendimeve të duhura”.
“Diplomacia jonë urgjentisht duhet ta fillojë e realizojë një reformë të thellë. Krejt çështja është: A kanë vullnet ata që duhet ta bëjnë reformën”.