Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mungesën në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet sot në Tiranë.
Krasniqi e ka quajtur Kurtin një kryeministër idhnak, i papërgjegjshëm e që vuan nga kompleksi i inferioritetit.
“Kryeministër, ku je? Sot, në Tiranë po zhvillohet Samiti i përbashkët i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor me fokus në Planin e Rritjes – iniciativës për investime konkrete të BE-së në shtetet e rajonit tonë. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan për periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro, e ku mundësia që Kosova të përfitojë qindra-miliona euro investime, është tashmë e konfirmuar”, ka shkruar lideri opozitar, në Facebook.
“Dhe pikërisht në këtë Samit, ndër më të rëndësishmit për shtetin tonë, Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos marrë pjesë. Në vend të tij, ai ka zgjedhur që javën ta kalojë në Irlandë të Veriut, duke mbajtur ligjërata boshe e pa ndikim nëpër shkolla”.
Sipas Krasniqit, një gjë është e qartë: “Me këtë qasje të Kryeministrit Kurti, Kosova jo që nuk do të përfitojë investime të reja, mirëpo as sanksionet aktuale të vendosura nga BE ndaj shtetit tonë, nuk do të hiqen”.
“Një Kryeministër idhnak, i papërgjegjshëm e që vuan nga kompleksi i inferioritetit, fatkeqësisht për Kosovën, nuk do të arrijë të thelloj as raportet mbarë-shqiptare, e lëre më ato rajonale dhe evropiane. Kryeministër, kthjellu!”, përfundon reagimi i kryetarit të PDK-së.