Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se Kosova ka rënë në dialog, ku po diskutohet në vende bregdetare si në Bratisllavë e Ohër.
Krasniqi, kryeministrin e vendit, Albin Kurti, e quajti si “kryekrizetar” i Kosovës, pasi sipas saj, “ai dhe kriza janë një”.
“Krizë në arsim me mësuesit, krizë në shëndetësi, krizë në ekonomi, krizë ndaj aleatëve, pra ai njëri prodhon vetëm kriza. Ne s’kemi parë asgjë deri përveç krizave. Për gati 3 vjet s’kemi asnjë njohje, asnjë aplikim në organizata ndërkombëtare e po presim sanksioneve nga BE-ja pas 20 e sa viteve prej përfundimit të luftës”, tha Krasniqi në “Edicioni Special” në Klan Kosova.
Sipas saj, pasojat e veprimeve të Kurtit i vuajnë qytetarët e vendit, teksa shtoi se “në vend që të merret me gjendjen e rëndë ekonomike, ai merret me pjesën veriore”.
“Gjendja në veri është shkaktuar për shkak të marrëveshjes së Ohrit, pasi Kurti duhej t’i tregonte votuesve të vetë që “Zajdenicën” e ka krijuar. Në marrëveshjen e Ohrit, neni 7 thotë “vetëmenaxhim”, ndërsa neni 10 thotë “të implementohen marrëveshjet e vitit 2013”. Marrëveshja e vitit 2013 është Asociacioni me të gjeturat e Gjykatës Kushtetuese”.
“Për çfarë sovraniteti flet në pjesën veriore kur policia duhet të dakordohet me ndërkombëtarët për ta marrë një aksion”, tha ajo.