Çështja e marrëveshjes VV-LDK po vlerësohet se është bërë si legjenda e “Rozafatit” që ndërtohet ditën e rrënohet natën.
Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Milazim Krasniqi, në një intervistë për Ekonomia Online po thotë se problemet mes këtyre dy subjekteve janë më të mëdha ndërkaq çështja e Presidentit është vetëm pretekst.
Sipas tij, këtu bëhet fjalë për mungesë besimi dhe guximi për të marrë përgjegjësi.
“Koalicioni është bërë si legjenda e “Rozafatit” që thotë se ajo që ndërtohej ditën rrënohej natën. Qe 3 muaj po bëhen përpjekje për ta ndërtuar atë koalicion, por në një moment po prishet. Problemi më i madh është se ne nuk po i dimë arsyet e vërteta të këtij bllokimi të procesit. Ajo që thuhet se është ngecja për presidentin është vetëm një pretekst sepse shkaqet janë më të thella. Në mos besimin e madh që kanë këto dy parti mes vete. Mungesa e një guximi për të marr përgjegjësi për proceset që e pret Kosovën siç janë negociatat me Serbinë si dhe grumbullimi i problemeve sociale , ekonomike e shëndetësore”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi ka komentuar takimin e djeshëm ndërmjet Presidentin Hashim Thaçi dhe liderit të VV-së Albin Kurti, për të cilin tha se Kurti nuk është dashur ta refuzoj mandatin.
Siç thotë ai Kurti po luan lojë, pasi Presidenti është brenda detyrës së tij.
Kurse sa i përket afatit thotë se është presion politik për të bërë formimin sa më shpejt të institucioneve.
“Albin Kurti është dashur të shkoj me kërkesën për marrjen e mandatit, jo me refuzua mandatin por me marrë si fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit. Meqenëse ai nuk i ka ende numrat dhe marrëveshjen, andaj ai luan lojë. Është e palogjikshme që të kesh mandatin e fitores dhe të mos e realizosh atë mandat. Presidenti është brenda terrenit të vet, ai pret që ti shkohet propozimi për mandatarin që ta dekretoj. Pjesa e afatit është pjesë e presionit politik të cilin e shoh si dashamirës. Presidenti insiston që të formohen institucionet sa më shpejt”.
Njohësi i çështjeve politike theksoi se Albin Kurti ka probleme me LDK-në pasi ka mbetur në dorë të tyre pas vendosjes së vijave të kuqe me partitë tjera politike.
“Kurti është i interesuar që ta marr mandatin për ta formuar qeverinë por ka probleme të mëdha me LDK-në. Ai ia ka bërë sherrin vetit me krijimin e vijave të kuqe me PDK-në, AAK-në dhe partitë e tjera e kështu ka mbetur në dorë të LDK-së. LDK e ka ngritur jashtëzakonisht shumë stekën e kërkesave. Jam i bindur se këtu është edhe ndikimi i faktorit ndërkombëtarë përkatësisht SHBA-ja, pasi nuk i besojnë Albin Kurtit, andaj si duket insistimi i tyre është që të faktorizohet LDK sa më shumë koalicionit dhe të jetë pala që determinon politikën në qeverisjen e ardhshme. Ka probleme më të thellë sa se sa këto që lidhen me postet dhe me presidentin. LDK është në kërkesat e saj legjitime si partner koalicioni potencial”.
Ndër të tjera, Krasniqi potencoi se nëse vendi shkon në zgjedhje do të hynte në një krizë të rëndë.
Sipas Krasniqit, Kurti ende nuk ka dalë nga lëvozhga e opozitarit andaj nuk po dinë të sillet si krerë i shtetit.
“Mundësia më e keqe është shkuarja në zgjedhje, njëra nga mundësit do të ishte që Presidenti në diskrecionin e tij ta gjej një kandidat që mund ta formojë qeverinë. Në atë rast se nëse nuk do të jetë Kurti atëherë do të ktheheshim në protestat si kanë qenë më herët nga VV. Ende nuk është deklaruar qartë se është larguar nga dhuna. Do të ishim në një krizë të rëndë. Zgjedhja më mirë është që Kurti ta marr mandatin e të filloj të qeverisë. Por ai ende nuk ka dalë nga lëvozhga e opozitarit, ai duhet të jetë më i përgjegjshëm, ai duhet ta ndryshoj qëndrimin edhe ndaj partive tjera politike”, ka thënë Krasniqi për Ekonomia Online.