E themeluar në kohën kur Kosova ishte e okupuar nga regjimi serb, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), solli një frymë të re qytetare. Kështu i përshkruan fillet e kësaj parti, njëri ndër themeluesit, Milazim Krasniqi. Sipas tij në kohën kur u themelua kjo parti, në Kosovë nuk bëhej fjalë as për liritë qytetare, kombëtare dhe intelektuale, teksa qytetarët ishin kapluar nga frika e regjimit.
“Nuk bëhej fjalë as për liritë qytetare, kombëtare dhe intelektuale. Ishte një gjendje e terrorit në të cilën ne një grup i shkrimtarëve dhe intelektualësh vendosëm që të tentonim dhe ta bënim një ndryshim edhe për arsye se elita politike e asaj kohe një pjesë ishte e burgosur, një pjesë tjetër ishte frikësuar aq shumë sa që më nuk ndiheshin të gjallë, kështu që kishte mbeture një vakum total, nuk kishte kush ta përfaqësonte popullin dhe ne morëm këtë iniciativë për themelimin e LDK’së”, fillon rrëfimi i Krasniqit që 31 vite më parë, ishte krahu i djathtë i presidentit historik Ibrahim Rugova.
Madje themelimin e kësaj partie, Krasniqi e cilësoi si lëvizjen më të madhe politike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
“Partia edhe për habinë tonë shumë shpejtë është bërë një lëvizje e madhe kombëtare dhe u bë lëvizjes që mori përsipër orientimin politik të shqiptarëve në rrethana të okupimit dhe si e tillë pa dyshim që është lëvizja më e madhe politike e shqiptarëve në ish-Jugosllavi”, vazhdon tutje rrëfimi i tij.
Për Krasniqin, Rugova ishte lider që e mbante partinë bashkë. Madje, ai për Express tha se tek pas vdekjes së tij, në LDK filluan ndarjet në fraksione e moslejimi i mendimit ndryshe.
“LDK-ja e sotme është një parti që ka kaluar në batica dhe zbatica të luftës për pushtet, veçmas pas vdekjes së presidentit Rugova në vitin 2006. Ajo hyri në një vorbull të konflikteve të brendshme, me fraksion të Nexhat Dacit, pastaj kemi ardhur deri tek dalja e fundit e Vjosa Osmanit. LDK-ja sot në fakt është një parti që vuan nga përçarjet e brendshme dhe nga mosndryshimi i gjeneratave”, ka pohuar ai.
Duke folur për mosndërrimin e gjeneratave në LDK, Krasniqi theksoi se ka shumë njerëz aty janë aktiv në parti që 30 vite.
“Siç dihet në Kosovë mosha e popullsisë është shumë e re dhe ndryshimet e gjeneratave janë shumë të shpejta, ndërsa në LDK kjo nuk është reflektuar. Shumica e njerëzve në LDK janë aty që 20 ose 30 vjet. Nuk është reflektuar ndryshimi demografik, i kërkesave në profilin e saj, kështu që në këtë aspekt ka një shkëputje nga gjeneratat e reja dhe nga problemet e shoqërisë”, deklaroi Krasniqi për Express.
“Kam frikë se në LDK është zbehur fryma rugoviane”
Pavarësisht së pohoi se brenda LDK`së, mund të ketë ende persona që janë duke punuar në frymën rugoviane, Krasniqi tha se ka frikë që kjo frymë është zbehur në parti.
“Në të vërtetë aty ka njerëz që kanë trashëgimin rugoviane për arsyen se janë prej kohës kur ka qenë presidenti Rugova dhe janë formuar në atë frymë. Normalisht jo të gjithë. Vet partia si e tillë kam frikë që e ka zbeh shumë frymën e rugovizmit sepse karakteristikat e Rugovës ka qenë toleranca ndaj kundërshtarëve politik dhe veçmas brenda partisë”, ka thënë ai për Express.
Më tutje, Krasniqi tha se asokohe nuk kishte përjashtim nga partia në rast se mendimet nuk përputheshin me liderin.
“Ne kemi ditur që të rebelohemi ndaj qëndrimeve të presidentit por ai kurrë nuk ka marr masa siç ishte kjo masa që ndërmori Këshilli i përgjithshëm i LDK-së për përjashtimin e Vjosa Osmanit nga Kryesia dhe nga Këshilli i Përgjithshëm”, ka thënë ai.
Krasniqi theksoi se po të ishte përjashtimi si masë ndëshkuese për shkak të deklaratave kundërthënëse me liderin, ai do të përjashtohej 10 herë nga Rugova.
“Po të ishte për deklarata unë isha përjashtuar nga LDK-ja në kohën e Rugovës nja 10 herë, por LDK-ja nuk e ka pasur këtë frymë. Nuk e di se kah ju ka ardhur dhe si e kanë instaluar por kam frikë që kjo po i jep pasoja, sepse largimi i Vjosa Osmanit kam frikë që do ta dëmtojë LDK’në sepse i jep një imazh të një partie që nuk e toleron mendimin ndryshe. Në fillim ka qenë parti që e ka toleruar mendimin ndryshe”, ka deklaruar ai.
Krasniqi: LDK’ja nuk ka qenë asnjëherë në pozitë më të keqe para zgjedhjeve
Me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, për shpalljen të pavlefshme të votës së deputetit Etem Arifi që ishte vendimtare për formimin e Qeverisë “Hoti”, në vend është hapur rruga për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Milazim Krasniqi, njëri ndër themeluesit e LDK’së, 31 vite më parë, në një intervistë për Express tha se kjo parti nuk ka qenë asnjëherë më keq para zgjedhjeve.
“Me aq sa unë shoh nga zhvillimet e saj të brendshme besoj që LDK’ja kurrë nuk ka qenë në pozitë më të keqe para zgjedhjeve. Kjo për shkak se e ka krizën me Vjosa Osmanin, sikundër që e ka edhe krizën brenda lidershipit të vjetërsuar, të lodhur dhe që nuk reflekton dinamizëm”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, krahasuar me partitë e tjera, LDK’ja është larg edhe me aktivitetin politik të shfaqur në publik.
“Mjafton të shohim përshembull dinamizmin e Lëvizjes Vetëvendosje por edhe të PDK-së, AAK-së në aspektin e lidershipit që reflektojnë në baza ditore, në terren, në media e gjithandej, ndërsa LDK-ja këtë se ka”, ka thënë më tutje ai.
Njëri nga themeluesit e partisë: LDK’ja rrezikon ta humb elektoratin, duhet të mobilizohen sa më shpejt
Vendi është në prag të zgjedhjeve të parakohshme. Lidhur me këtë gjë një ndër themeluesit e LDK`së, Milazim Krasniqi ka thënë për Express, se në rast se kjo parti nuk mobilizohet rrezikon ta humb elektoratin.
“Nëse nuk mobilizohen shpejtë mund të kenë probleme në rezultatin zgjedhor. Para disa kohësh kam menduar që LDK’ja do të shkonte shpejt në një Kuvend të jashtëzakonshëm dhe do të zgjidhte liderin e partisë e që në të njëjtën kohë do të ishte edhe kandidat për kryeministër dhe në atë rast do të ishte një fytyrë dhe një profil i ri edhe para elektoratit të vet
Sipas parashikimeve të tij, LDK’ja duke e mobilizuar elektoratin e saj, mund të marr 20 deri në 23% të votave në zgjedhjeve.
“LDK’ja mjafton që të arrij të mobilizojë vetëm, elektoratin e vet pa e zgjeruar me të tjera mundet me dal deri në 20-23%. Nëse nuk e mobilizon elektoratin e vet ajo mund të lëviz drejt partive tjera si tek Vjosa osmani ose të LVV’ja”, ka pohuar ai.
Sot janë bërë 31 vite nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Asokohe 119 anëtarë, përfshirë shkrimtarë e intelektual e caktuan Kryesinë e LDK`së me Kryetar Ibrahim Rugova, sekretar Jusuf Buxhovi dhe anëtarë të kryesisë Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Ali Aliu, Nekibe Kelmendi, Mehmet Kraja e shumë figura të njohura shkrimtarësh e intelektualësh të asaj kohe./TV Malisheva