Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar sot se tema e amendamentimit të Ligjit për Sponsorizime, me të cilin ndihmohen sportistët dhe artistët kosovarë, është urgjente.
Këto komente, Krasniqi i ka bërë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në seancën për gylenistët.
Memli Krasniqi ka akuzuar LDK-në dhe VV-në, të cilët nuk kanë pranuar ta votojnë këtë amendament, duke thënë se opozita mendon se është keq të mbështeten sportistët dhe artistët.
“Kjo është temë 100 herë më urgjente, sepse lidhet me dhjetëra mijëra sportistë e artistë të Kosovës, që i kanë sytë kah ky Kuvend. Ju që e keni thirrur këtë seancë, nuk keni kurajon t’u dilni në ndihmë atyre, ashtu siç po ju dalim ne si koalicion qeverisës, dhe ta jepni votën në favor të tyre”, ka thënë Krasniqi.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti iu drejtuar Krasniqit që nëse e voton PDK raportin do të lënë debatet dhe do të kalojnë në mocionin e votimit.
“Le të përgjigjet z. Krasniqi a e mbështet grupi i tij parlamentar a e voton dhe unë po tërhiqem nga debati dhe po e vë menjëherë mocionin e votimit”.
Krasniqi tha se nuk do ta votojnë raportin.
“Z. Hoti e dini qysh e keni kalua këtë komision. Përkundër shkeljeve që i dini, i kemi tejkalua dhe kemi ardh këtu se jemi pajtua që duhet me pas një raport. E vërteta është se raporti si tërësi ka mangësi që kanë ardh si paragjykim të anëtarëve të këtij komisioni”, tha ai.
Edhe shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca ofroi mbështetjen që të kalojnë në votim duke shtuar se fjalimet po mbahen për të bindur Krasniqin dhe të tjerët që nuk po e mbështesin raportin.
“Ne arsyet i kemi paraqitë për me i binde Memlin dhe pjesën tjetër. Ne i tërheqim fjalimet tona he nëse janë të gatshëm të tjerët atëherë propozoj që të shkojmë në votim”, tha ai.
Krasniqi tha se ky raport nuk do votohet për shkak se Komisioni nuk e ka pranuar edhe një raport shtesë.
Ndërsa akuzoi VV-së se është kundër ndihmës për sportistët.
“Ne e dimë që ju fjalimet i keni për arsye tjera e jo me na mbushë neve mendjen. Ju VV po mendoni prapë se është keq me i ndihmua sportistët. Juve nuk ju mbushet mendja për asgjë hiq”.
Por, deputeti i VV-sw, Xhelal Sfeçla e mohoi duke thënë se nuk është sjellë asnjë raport tjetër në atë komision, për çka Krasniqi tha se mbledhjen e kanë mbyllur për pesë minuta dhe nuk kanë pritur.
“U përmend një e pavërtetë. Të gjithë anëtarët që kanë qenë pjesë kur është votua raporti, ku demantojnë të thënën e parafolësit se kinse dikush ka tentua me dorëzua një raport shtesë”.
Edhe pwr wktw shefi i deputetwve tw PDK-sw, pati njw pwrgjigje
“Nuk keni lejua sepse e keni mbyllë mbledhjen për pesë minuta. Nuk keni mundësua që me u dëgjua edhe fjala e dikujt tjetër aty”, tha Krasniqi.