Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës në Rubikon të KTV-së ka thënë se deklaratat publike në dy javët e fundit ka dëmtuar besimin ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së.
“Gjatë këtyre dy javëve besimi në mes të dy partive politike është dëmtuar shumë kryesisht për shkak të deklaratave publike. Tani duket sikur jemi në parafushatë, partitë politike kanë filluar të akuzojnë njëra -tjetrën dhe të bëjnë një lloj gare kush ka sakrifikuar më shumë”, ka thënë Krasniqi.
Sipas saj dakordimi për programin ishte shumë pozitiv, por partitë u kthyen në identitetin e partive puro kosovare kur erdhi puna te ndarjen e përgjegjësive.
“Jam dakord që marrëveshjet politike të arrihen me anë të kompromiseve. Ajo çfarë ka qenë pozitive është se këto kanë pasur dakordim për programin, e një gjë të tillë nuk e kemi pasur. Por, gjithsesi këto parti u kthyen në identitietin e partive puro të Kosovës, duke shikuar si të akomodojnë interesat e tyre partiake. Derisa nuk janë në gjendje të tejkalojnë interesat e tyre partiake”, ka thënë ajo.
Krasniqi ka deklaruar se tani ato dy parti duhet të kthejnë debatin brenda zyrave për të gjetur zgjidhjen.
“Ajo thirrja jonë është që këto parti të ulen e të diskutojnë e debati të bëhet brenda zyreve të tyre që po krijojnë edhe tension te qytetarët. Kjo ka krijuar një sens të parafushatës, përmes akuzave e kundërakuzave. Ajo çfarë kemi parë në ditët e kaluara është se Kosova ka një agjendë të ngjeshur edhe të politikës ndërkombëtare por edhe asaj të brendshme”, ka thënë Krasniqi.