Krasniqi: Moskoordinimi i qeverisë me aleatë arriti të sjellë pasoja për Republikën e Kosovës

Prishtinë | 22 Kor 2024 | 13:30 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi në 14 vjetorin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ka thënë se moskoordinimi i qeverisë me aleatë arriti të sjellë pasoja për Republikën e Kosovës.

Në një postim në Facebook, Krasniqi ka shkruar se Kurti duhet të japë dorëheqje sepse dëmet që ai po ia shkakton vendit janë fatale dhe vështirë të kthyeshme mbrapa.

“Moskoordinimi i qeverisë me aleatë arriti të sjellë pasoja për Republikën e Kosovës. Pikërisht sot në 14 vjetorin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare, u cenua sovraniteti i Republikës së Kosovës. Udhëtimi i lirë për qytetarët që mbajnë pasaporte ilegale të lëshuar nga Serbia është pasojë e veprimeve të gabuara nga Kryeministri Kurti. E kemi thënë për muaj me radhë që jeni duke bërë dëme të mëdha dhe të pariparueshme në arenën ndërkombëtare dhe ja ku arritëm në një situatë absurde për qytetarët tanë. Ky Kryeminsitër duhet të japë dorëheqje sepse dëmet që po na shkakton janë fatale për vendin dhe të vështira për t’i kthyer prapa. LDK-ja do ta kundërshtoj këtë vendim dhe do t’i dalim zot Republikës sepse mbetet e përhershme”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Të ngjashme