Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka thënë se ndërkombëtarët kanë një pjesë të fajit për mosdenimin e gjenocidin që serbët kryen në Kosovë, teksa shton se kjo vetëm se e ka trimëruar Presidentin Serb, Aleksandar Vuçiq.
Këto deklarata Krasniqi i ka bërë në një intervistë për gazetën ‘Epoka e re’.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës ka bërë me dije se dialogu Kosovë – Serbi mund të rinisë, por me këtë mentalitet të politikës serbe ky proces nuk mund të sjellë ndonjë rezultat pozitiv.
“Serbia para disa vitesh është dashur të dënohej për politikat e gjenocidit që i ka udhëhequr në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci. Deklaratat e fundit të Vuçiqit, por edhe të zyrtarëve të tjerë serbë, janë dëshmi se ata nuk kanë hequr dorë nga ato politika, bile në disa raste vetëm se janë trimëruar, siç është rasti me Gjykatën Speciale të Kosovës me seli në Hagë. Mosdënimi i gjenocidit të Serbisë ishte dhe është përgjegjësi e politikës së vendeve euroatlantike”, ka thënë Krasniqi.
Kujtojmë se ditëve të fundit Vuçiq por edhe shumë zyrtarë të tjerë serbë kanë mohuar publikisht Masakrën e Reçakut të kryer në vitin 1999 në Kosovë, duke thënë se kjo është veç një trillim.