Përfaqësuesja e Kosovës do të marrë pjesë me nëntë garues në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, që nis nesër (e premte) në kryeqytetin francez. Për pjesëmarrjen e sportistëve kosovar ka folur për Ekonomia Online, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se për herë të parë Kosova po merr pjesë në olimpiadë edhe në sportin e boksit. Nga nëntë garues, pesë janë nga xhudo, një nga boksi, dy të notit dhe një prej atletikës.
“Në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’, përfaqësohet me nëntë garues nga Kosova, ku gjashtë prej tyre janë në normat olimpike pesë janë prej xhudos dhe një është prej boksit, kur flasim për boksin është për herë të parë në histori që Kosova po merr edhe një normë nga një sport tjetër, sepse jemi mësuar deri më tash vetëm me xhudo. Mirëpo kemi edhe dy me ftesë të universalitetit që janë dy prej notit dhe një prej atletikës. Kështu që të gjithë ekipi është prej nëntë garuesish. Presim prej të gjithave ata që kanë norma olimpike të gjithë janë potencial për medalje, nuk mund të anashkalojmë asnjërin prej garuesve vetëm varet edhe fati sportivë në momente të caktuara. Për të marrë normat olimpike është një sfidë e madhe përballet gjatë katër viteve nëpër Kampionate Evropiane Botërore, duhet të jesh në rang listën top 10-shen botërore, kështu që është një sfidë dhe atë sportit që marrin normën olimpikë janë të gjithë potencial për marrjen e medaljes”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka pritshmëri të mëdha për sportistët kosovarë, ndërsa veçon xhudisten Dristria Krasniqi.
“Padyshim që pres nga xhudo, e sidomos nga Distria (Krasniqi) e cila është në nivelin më të lartë të listës së bashku me Laurën, Akili edhe Blin Kuka, kështu që besoj që po shkojmë me pak garues por me kualitet shumë të lartë. Ne si Komitet Olimpikë kemi bërë punën tonë gjatë kësaj periudhe katër vjeçare duke mbështetur sportistët tanë me bursa olimpike me kampe stërvitore e me të gjitha punët që janë të nevojshme për të gjithë garuesit. Përgatitjet i kanë kryer në mënyrën më të mirë të mundshme, të gjithë janë me shëndet të mirë dhe besoj që edhe me pak fat do të kemi medalje edhe në Paris”, shtoi ai.
Ndryshe hapja solemne e Lojërave Olimpike “Paris 2024”, do mbahet më 26 korrik dhe mbaron më 11 gusht.
Lojërat Olimpike “Paris 2024” do të kenë 3,800 orë sport të drejtpërdrejtë dhe do të dhurohen 329 medalje ari në 32 sporte gjatë 18 ditëve të garave, të cilat do të mbahen në Paris dhe në pjesë të tjera të Francës.