Ndalesa e karateistëve të Kosovës u bë për arsye politike

Prishtinë | 09 Maj 2018 | 15:02 | Nga Besjana Bajrami

Federata e Karatesë së Kosovës ka mbajtur konferencë për media pas ndalesës që u është bërë në kufi me Serbinë, duke ua pamundësuar pjesëmarrjen në kampionatin evropian.

Ismet Krasniqi, kryetar i Federatës së Karatesë, tha se arsyet e ndaljes së Federatës së Karatesë kanë qenë banale, raporton Ekonomia Online.

“Ne sot në orët e hershme të mëngjesit u nisëm për Serbi për të marrë pjesë në kampionatin evropian dhe hasëm në Merdare në pengesa të Serbisë. Kur u afruam te kufiri, pamë policinë serbe”.

“Unë mendova që kanë ardhë për ta përcjellë autobusin deri në Novi Sad, mirëpo ndodhi e kundërta. Një polic na lajmëroi se kanë urdhër që të mos na lejojnë të hyjmë”, tregoi Krasniqi.

Ai tha se nuk do të marrin pjesë nëse u kushtëzohet që të mos i përdorin simbolet shtetërore.

“Ne jemi ende në biseda me kryetarin e Federatës Botërore edhe ata janë të habitur me këtë rast. Jemi tu pritë nëse ka ndryshim, sepse është ende në procedurë. Ne kemi humbur shumë në këtë rast, sepse ky është kampionati evropian e që është shumë i vlefshëm. Ne për këtë kampionat jemi përgatitur me kohë”.

Sekretari i Federatës, Nazmi Gashi tregoi që i kanë plotësuar të gjitha procedurat për t’iu lejuar hyrja në Serbi.

“Me të kuptuar se kampionati do të mbahet në Novi Sad në Serbi, iu kemi adresuar Federatës Evropiane me një shkresë për t’i njoftuar për gjendjen aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nuk kemi marrë ndonjë njoftim. Me marrëveshjen e nënshkruar se duhet të lajmërohet më herët 48 orë, ne e kemi respektuar, edhe pse kjo kërkohet vetëm për politikanë. Është i pakuptimtë kthimi i ekspeditës”, tha Gashi.

Shasivar Haxhiaj, sekretar i komitetit Olimpik të Kosovës, tha se ndalesa e federatës së karatesë ka qenë për arsye politike, raporton EO.

“Këtu është e përzier politika dhe ajo ka ndërhy dhe i ka ndalu sportistët të marrin pjesë në kampionatin evropian. Të gjitha procedurat janë kryer me kohë. Krejt këto janë arsyetime banale, vetëm sa me u mundu politika e Serbisë me mbulu gabimin që kanë bërë”.

“Para gjysmë ore kemi kontaktuar me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar ku na kanë dhënë një shpresë se sportistët të marrin pjesë në kampionat. Na kanë sugjeruar që të nisemi prapë. Ne po dojmë të besojmë që e gjitha çka ka ndodhur sot janë përpjekjet e fundit të Serbisë t’i ndalojnë sportistët tanë”.

Herolind Nishevci, pjesë e ekipit, tha se ky është hendikep i madh, sepse kanë bërë përgatitje për këtë kampionat, raporton EO.

“Kjo është gara më e rëndësishme për të gjithë ne. Tash e kemi pasë synimin që edhe në Evropian me marrë pjesë. Është hendikep i madh për mua dhe krejt ekipin, sepse ne jemi duke avancuar shumë. Është shumë keq sepse ne po ushtrojmë edhe punojmë, edhe në fund duhet me ia fillu prej 0. Kisha dashtë që politika të mos merret me ne, sepse ky është vetëm një sport”, tha ai.

Të ngjashme