Lirim Krasniqi, drejtor në Organizatën “Germin” e sheh shqetësuese anulimin e disa votave nga diaspora, duke theksuar që krejt kjo është përgjegjësi dhe dështim i KQZ-së për të informuar votuesit nga jashtë, pasi shumë fletëvotime përmes postës janë refuzuar, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij arsyet e refuzimit të disa votave nga diaspora janë të ndryshme. Ai ka thënë se parregullsitë janë shfaqur edhe gjatë regjistrimit të votueseve.
“Ne jemi duke vëzhguar vazhdimisht gjithë procesin e votimit nga jashtë dhe kemi filluar qysh nga periudha e regjistrimit, i kemi përcjellë të gjitha parregullsitë dhe i kemi adresuar gjitha problemet pranë komisionit qendror të zgjedhjeve dhe institucioneve të tjera relevante. Dhe tash jemi duke vëzhguar procesin e verifikimit të pakove me fletëvotime nga diaspora, ku deri më tani kemi pasur një numër relativisht të lartë refuzimeve, arsyet për këtë janë të ndryshme, dhe fillojnë qysh nga mosqenia në listën e votuesve nga jashtë apo për faktin që një pjesë e atyre që i kanë dërguar fletëvotimet përmes postës janë refuzuar në periudhën e regjistrimit dhe kjo ka shkaktuar që një pjesë e madhe e zarfeve me fletëvotime të mos pranohen”, tha Krasniqi.
“Kjo padyshim është shqetësuese, për shkak se tregon që votuesit nuk kanë qenë të informuar sa i përket procedurave të votimit nga jashtë, dhe është edhe përgjegjësi e KQZ-së për shkak se kanë dështuar të informojnë votuesit nga jashtë dhe edukojnë ata për procedurat e votimit dhe si rezultat kemi një numër shumë të lartë të refuzuarve të cilët i kanë dërguar fletëvotimet përmes postës”. u shpreh ai
Ai mes tjerash tha që ky proces po zgjat mjaftueshëm dhe krejt kjo si pasojë e mungesës së planifikimit nga ana e KQZ-së. Madje thotë që do kalojë edhe një javë tjetër me këtë process të verifikimit të votave nga diaspora.
“Po faktikisht arsyeja pse po zgjat procesi sipas vlerësimit tonë, është mungesa e planifikimit nga ana e KQZ-së. Kjo mungesë e planifikimit është parë qysh në periudhën e regjistrimit kur ata kanë marrë një vendim për t’i telefonuar aplikuesit, vendim të cilin nuk kanë arritur ta zbatojnë deri në fund, dhe janë detyruar që prapë ta anulojnë. Dhe edhe tash po vërejmë edhe tek votat e diasporës, sepse sa më shumë vonohet certifikimi i rezultateve aq me pa integritet është i gjithë procesi i zgjedhjeve pastaj”, deklaroi ai.
Nga shërbimi votues nga 19 mijë pako të vlerësuara deri më tani janë aprovuar mbi 22 mijë zarfe të refuzuara janë pjesa tjetër dhe të proceduara janë mbi 31 zarfe nga 19 mijë pako.
Krasniqi tha që nuk po mbrohen votat nga diaspora, madje pret që disa çështje të rishqyrtohen para se të fillojë procesi i numërimit, nga to edhe pranimin e dokumenteve te Kosovës të cilëve u ka skaduar afati.
“Faktikisht jo edhe aq shumë, ne jemi organizata e vetme që jemi duke e vëzhguar procesin. Gjithsesi pavarësisht kësaj nuk është se në këtë periudhë të verifikimit kemi parë ndonjë parregullsi apo ndonjë shkelje, ne presim që disa çështje të rishqyrtohen para se të fillojë procesi i numërimit dhe një nga to është pranimi i dokumenteve të Kosovës të cilëve u ka skaduar afati, sepse ne kemi një vendim të KQZ-së për rastet e njëjta në Kosovë, dhe duhet e njëjta praktikë të zbatohet edhe për qytetarët tanë që jetojnë jashtë vendit, për shkak se vota e tyre nuk është më e pavlefshme sesa e atyre që jetojnë në Kosovë. Në përgjithësi si proces është kogja i cenueshëm, për shkak të procedurave të ndërlikuara mirëpo edhe mungesës së kapaciteteve dhe planifikimit të KQZ-së për një planifikim të tillë”, theksoi ai.