Zëvendësministri në Ministrin e Financave, Agim Krasniqi tha se ekzekutimi i pagesave prej 300 eurove për ata që kanë humbur vendet e punës është i lidhur me aprovimin e Ligjit të buxhetit për vitin 2021, përcjell Ekonomia Online.
Krasniqi ka theksuar se disa nene të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike mund të fillojnë të zbatohen këtë vit, e disa vitin tjetër.
“Shumë mediume dhe qytetar këto ditë po më shkruajnë e po pyesin se kur do të filloj ekzekutimi i pagesave prej 300 eurove për ata që kanë humbur vendet e punës dhe po ashtu kur do të filloj implementimi i mbështetjes për biznese duke u mbështetur në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike (LRE).
Në pamundësi të përgjigjeve individuale po i`u njoftoj se disa nene të LRE mund të fillojnë të zbatohen këtë vit siç është rasti me tërheqjen e mjeteve të trustit, ose edhe nene tjera që nuk kërkojnë miratimin e Ligjit për buxhet për vitin 2021″, njofton ai përmes një postimi në Facebook.
“Por disa nene të LRE nuk mund të zbatohen pa kaluar Ligji i buxhetit për vitin 2021 sepse kërkojnë që për implementimin e tyre të ketë ndarje buxhetore, të përcaktohet Institucioni që do të implementoj këto nene, të përcaktohen kriteret dhe mënyra e aplikimit të përfituesve. Kjo nënkupton që pagesat për ata që kanë humbur vendet e punës dhe mbështetja në vazhdim për biznese janë të lidhura me aprovimin e Ligjit të buxhetit për vitin 2021”, u shpreh ai.
Tutje, Krasniqi ka kërkuar nga qytetarët dhe bizneset që nuk kanë bërë përditësimin e të dhënave të tyre në ATK dhe të mirëmbajnë aktive llogaritë e tyre bankare, ta bëjnë këtë, për të mos pasur vonesa në pranimin e mjeteve në momentin e ekzekutimit të pagesave.