Krasniqi pas gjashtë muajsh viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë: Keni të fala të gjithë, pa përjashtim, nga çlirimtarët tanë

Prishtinë | 17 Pri 2024 | 19:34 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të mërkurën ka vizituar ish-presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin të cilët po vazhdojnë të gjykohen padrejtësisht në Hagë.

Krasniqi, ka thënë se edhe pse liria e tyre është e kufizuar, shpirti i tyre mbetet i pathyer duke shtuar se qëndrimi i tyre në Hagë na kujton çmimin e lartë të lirisë, raporton Ekonomia Online.

“Të gjithë bashkëndjejnë dhe jetojnë çdo ditë me fatin e Kosovës dhe qytetarëve tanë. Ndonëse liria fizike e tyre është e kufizuar, shpirti i tyre mbetet i pathyer.  Fjalët, qëndrimi dhe kurajo e tyre, më bindin në secilën vizitë se të tillë do të mbeten deri në ditën e madhe të rikthimit në atdhe”, ka thënë Krasniqi.

Postimi i plotë:

Pas gati gjashtë muajsh, sot vizitova përsëri Presidentin Thaçi dhe Kryetarin Veseli në Hagë. I gjeta ashtu siç i kisha lënë herën e fundit: me moral të lartë dhe besimplotë në të drejtën e tyre, në të drejtën e Kosovës dhe në të drejtën e luftës së shenjtë të popullit tonë për liri.

Të gjithë bashkëndjejnë dhe jetojnë çdo ditë me fatin e Kosovës dhe qytetarëve tanë. Ndonëse liria fizike e tyre është e kufizuar, shpirti i tyre mbetet i pathyer.

Fjalët, qëndrimi dhe kurajo e tyre, më bindin në secilën vizitë se të tillë do të mbeten deri në ditën e madhe të rikthimit në atdhe.

Megjithatë, qëndrimi i tyre i padrejtë në këtë vend, vazhdon të na rikujtoj sakrificat dhe çmimin e lartë të lirisë – që populli ynë vazhdon të paguaj edhe pas 25 vitesh.

Keni të fala të gjithë, pa përjashtim, nga çlirimtarët tanë.

Pa dyshim, dielli do të lind përsëri!

Të ngjashme