Krasniqi: Pas pranverës, po shohim mundësitë që ta furnizojmë me qymyr Maqedoninë e Veriut

Prishtinë | 29 Dhj 2021 | 18:57 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, ka thënë se pas pranverës janë duke parë mundësinë e furnizimit me qymyr Maqedoninë e Veriut.

Krasniqi theksoi se në “Kosovën A” ka disa probleme të vogla, të cilat shpreson se nuk do të rriten më tutje.

“Sigurisht që ka, nuk mund të jemi të sigurt me termocentrale, të cilat i kemi aq të vjetra, ne po bëjmë maksimumin, gjithashtu dhe punëtorët e KEK-ut dhe ekspertët që këto njësi t’i mbajnë, mirëpo vjetërsia e këtyre njësive nuk garanton operim të sigurt. Edhe në momentin kur flasim, në “Kosovën A” kemi probleme të vogla, të cilat shpresojmë që nuk do të rriten më tutje, por kush mund të garantojë këtë. Askush. Sepse këto njësi të “Kosovës A” janë nga vitet e 70-ta, imagjinoni janë mbi 50 vjet në operim”, ka thënë Krasniqi.

Tutje, Krasniqi tha se janë duke bërë maksimumin me njësitë që kanë në operim, që të ketë energji gjatë Vitit të Ri.

“Ne çka mund të sigurojmë është të bëjmë maksimumin e prodhimit me këto njësi që i kemi në njësitë e termocentralit A dhe B1, që i kemi në operim tani. Ne po mundohemi edhe të bëjmë shkëmbim të energjisë për këto ditë të festave”.

“Maqedonia e Veriut ka shprehur interes për të blerë një sasi të caktuar mjaft të madhe të qymyrit nga Kosova, mirëpo për ne është gjithmonë prioritet furnizimi i njësive tonë të operimit. Ne nuk do të hyjmë në obligim për periudhën dimërore, për shkak se e kemi me prioritet operimin e njësive tona. Sigurisht, pas pranverës, kur kushtet klimatike janë më të volitshme dhe kërkesa për energji fillon të bie pak, ne jemi duke parë mundësinë që t’i furnizojmë ata me sasi të konsiderueshme të qymyrit, për çka kanë nevojë dhe mungesë në Maqedoni. Kjo besoj se do të jetë një kontratë e volitshme, ne kemi rezerva të mjaftueshme të qymyrit”.

Krasniqi: Pas pranverës, po shohim mundësitë që ta furnizojmë me qymyr Maqedoninë e Veriut

Të ngjashme