Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka munguar në seancën parlamentare ku pati përplasje fizike mes deputetëve të PDK-së dhe pjesëtarëve të Qeverisë.
Ai thotë se më herët në Kuvendin e Kosovës ka pasur përplasje mes deputetëve, por kurrë nuk ka ndodhur që dikush prej Qeverisë të nxisë dhunë, duke e akuzuar për këtë Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin për incidentin e asaj dite.
“Kjo është hera e parë në historinë e parlamentarizmit në Kosovë që dikush prej Qeverisë, një zv.kryeministër cohet dhe përzihet dhe provokon e nxit tension e dhunë në Kuvendin e Kosovës”, tha Krasniqi.
Ai akuzon Qeverinë që e ka nxitur dhunën me paramendim për ta hequr vëmendjen nga audio incizimet e bisedave mes Shefës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimiza Kusarit dhe përfaqësuesit të Listës Serbe, Slavko Simiqit.
Kreu i PDK-së tha atë ditë sapo kishte përfunduar një vizitë zyrtare në Senatin francez.
Krasniqi thotë se nuk mund të parashikoj nëse nuk do të ndodhte ky incident nëse ai dhe shefi i deputetëve, Abelard Tahiri do të ishin prezentë, sepse thotë se ajo që ndodhi ishte spontane.