Krasniqi për marrëveshjen: Pa njohje s’përfundon konflikti me Serbinë, PDK-ja s’e voton

Prishtinë | 10 Mar 2023 | 11:50 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se marrëveshja me Serbinë pa njohje reciproke, nuk e përfundon konfliktin e ngrirë dhe si e tillë është e papranueshme për këtë parti. Ai deklaroi se partia e tij nuk do ta votojë këtë marrëveshje, raporton Ekonomia Online.

Këtë e ka bërë të ditur në një konferencë për media pas takimit me emisarin e Bashkimit Evorpian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Se kjo marrëveshje nuk ka njohje, Krasniqi fajtor kryesor e bën kryeministrin Albin Kurti. Thotë se ka dështuar që për këtë dy vite t’i bindë ndërkombëtarët që në marrëveshjen finale të jetë njohja e ndërsjellët.

“Sapo zhvilluam një takim miqësor dhe të hapur me emisarin Lajçak, me të cilin biseduam për procesin e dialogut dhe marrëveshjen. Lajçakut ja shpreha edhe qëndrimet e PDK-së, rezervat që kemi për këtë marrëveshje. Fatkeqësisht ajo që sot kemi në tavolinë është një marrëveshje pa njohje dhe me Asociacion në qendër”.

“Përgjegjësia e Kurtit është direkte për faktin që për dy vite e ka humbur mundësinë që t’i bindë mbështetësit tanë për ta arritur njohjen e ndërsjellët. Sot nuk kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, jo me njohje, marrëveshje të përkohshme. Këto qëndrimet tona nuk janë befasuese për partnerët ndërkombëtarë. Qëndrimi i PDK-së që nga vitit 2018 është i lidhur me njohje të ndërsjellët. Krijon një status-quo të re. E shohim marrëveshjen si të pamjaftueshme dhe që krijon edhe shumë pikëpyetje”, thotë Krasniqi.

Kreu i PDK-së ka deklaruar se nëse marrëveshja vjen në Kuvend për ratifikim, nuk do ta ketë përkrahjen e kësaj partie.

“Pa dyshim që qëndrimi i ShBA-së nuk ka ndryshuar, ata besojnë që përfundim të jetë me njohje në qendër. Prej njohjes së ndërsjellë kemi njohjen eventuale. Ky është shqetësimi jonë. Është obligim që të sillet në Kuvend. Kur do që të sillet në Kuvend, nëse është ky aneks, nuk do ta ketë votën e PDK-së. Por do ta shohim marrëveshjen finale”, deklaroi Krasniqi, raporton EO.

Të ngjashme