Kandidati për kryetar të PDK’së, Memli Krasniqi, në emisionin Pressing të T7, ka treguar nëse kandidatura e tij për të parin e PDK’së është e koordinuar me ish-liderët e UÇK’së në Hagë, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.
Krasniqi ka thënë se kandidatura e tij nuk është e koordinuar me askënd.
“Unë i kam hy garës sepse pres që të ketë garë. Unë nuk e kam koordinuar këtë kandidaturë me askënd sepse nuk ka në PDK njerëz që vendosin çka do të ndodhë”, është shprehur Krasniqi.
Tutje, ai u pyet se a ka pasur megjithatë ndonjë amin nga Thaci e Veseli, por Krasniqi u përgjigj negativisht.
“Jo, absolutisht. Është ditur që duhet të ndodhte konventa, megjithatë beteja e tyre sot është tjetër. Beteja e tyre është betejë e historisë së Kosovës dhe jo personale”, ka thënë Krasniqi.
“Të shtunën unë do të dalë para PDK’së që t’ua prezantoj një platformë. Nëse ata pajtohen me bindjet e mia, atëherë pres të më mbështesin. Pres të ketë edhe kandidatë të tjerë, i ftoj të mos kenë mungesë të guximit. Edhe vetë kam pasur dilema, në fakt ka qenë shumë e vështirë. Mendoj që duhet me qenë një garë e hapur, jo rivalitet por konkurencë”, shtoi Krasniqi.