Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, përmes një shkrimi të tij thotë se qeveria e re në krye me Albin Kurtin, duhet ta sqarojë politikën e saj ndaj Serbisë.
Sipas Krasniqit, Serbia asnjëherë nuk ka treguar vullnet për t’u shkëputur nga politikat e krimit dhe të gjenocidit, por shpejtë ka filluar epokën e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Krasniqi tutje flet edhe për taksën. Kërkon sqarim të detajuar nga qeveria aktuale se pse duhet të hiqet ajo. Sipas tij, çdo përpjekje për të hequr taksën 100% pa ndonjë qartësim se nga dëshirojmë të shkojmë e ku synojmë të arrijmë, nuk do të jetë një zgjidhje e frytshme e as e qëndrueshme, përkundrazi do të këtë dhe do të krijojë vështirësi të reja. Madje, Krasniqi pyet qeverinë e re edhe për reciprocitetin. Kërkon sqarime se si do të funksionojë dhe si do të realizohet reciprociteti.
Më poshtë, mund të lexoni shkrimin e Krasniqit pa ndërhyrje:
Zhvillimet e fundit në Kosovë përfshirë edhe presionin nga jashtë, që kanë të bëjnë me raportin e saj politike me Serbinë, e shtron domosdoshmërinë për ta sqaruar një herë e mirë politikën e saj të veprimit ndaj politikave agresive te Serbisë në përgjithësi, e këtyre të pas Pavarësisë se Kosovës, me theks të veçantë pas bisedimeve politike të Brukselit është bërë e domosdoshme. Gjithashtu është bërë tepër e nevojshme një komunikim i ri me vendet euro-atlantike me të cilat kemi ardhur deri këtu, e të cilave vende duhet t’u themi se Kosova gjatë gjithë periudhës së pas qershorit 1999 ka bërë krejt çka ka qenë në mundësitë e saja për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë dhe i kemi bërë së bashku me ta. Për këtë qëllim kemi bërë shumë kompromise të cilat i dinë dhe më i njohuri prej tyre është Dokumenti Gjithëpërfshirës për Zgjedhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës, i njohur edhe si Dokumenti i Presidentit Ahtisari. Me atë Dokument, komuniteteve pakicë e sidomos komunitetit serb i janë ofruar të drejta të një standardi të lartë politik, sa edhe kanë rrezikuar funksionimin normal të institucioneve kushtetuese të vendit. Këto politika janë arritur se bashku me Grupin e Kontaktit e veçmas me vendet euro-atlantike. Ndërsa gjatë gjithë këtyre viteve, politika serbe nuk ka lëvizur nga llogoret e saja të luftës së njohur anti Kosovë e anti shqiptare. Pra, Serbia në asnjë moment nuk ka treguar vullnet për t’u shkëputur nga politikat e krimit e të gjenocidit dhe filluar epokën e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën e qytetarët e saj. Kjo politikë u është mirë e njohur vendeve të Demokracisë Perëndimore dhe jo vetëm atyre.
Këtyre vendeve të Botës euro-atlantike e veçmas vendeve të BE-së që janë bërë pengesë e ecjes së Kosovës në rrugën e integrimeve veri-atlantike, të cilave duhet treguar me argumente të gjitha arsyet pse Qeveria e Kosovës e ka vendosur taksën 100% ndaj mallrave serbe e boshnjake. Nëse është nevoja për këtë çështje, le të formohet një trupë e përbashkët e vendeve euro-atlantike për të ardhur pas një hulumtimi të një përfundim i argumentuar se vërtetë ku janë pengesat që pamundësojnë normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë?! Në Kosovë apo në Serbi, natyrisht duke u konsultuar me kujtesën administrative të Rambujesë e të Vjenës. Përndryshe çdo ngutje për të arritur çfarëdo përfundimi, nuk do të jetë gjë tjetër vetëm se “një përpjekje sizifi”, për t’u rikthyer sërish nga fillimi. Kjo situatë e kërkon domosdonë që t’i kthehemi kujtesës së arkivuar historike që nga Bisedimet e Rambujesë, të Vjenës e krejt deri më sot. Për të hulumtuar atë kujtesë është mirë që nuk u duhet ndihma e Kosovës dhe as ajo e Serbisë. Përndryshe, çdo përpjekje për të hequr Taksën 100% pa ndonjë qartësim se nga dëshirojmë të shkojmë e ku synojmë të arrijmë, nuk do të jetë një zgjidhje e frytshme e as e qëndrueshme, përkundrazi do të këtë dhe do të krijoj vështirësi të reja. Shkurt duhet të përcaktohet qartë e saktë çka po dëshirojmë të arrijmë? Zgjidhje të problemit apo vazhdim të rrugës që e dimë dhe e dimë mirë që të gjithë që se bashku e bëmë këtë rrugëtim më shumë sesa njëzet vjeçar!
Po e zëmë se Taksën edhe mund ta heq Qeveria e re e Kosovës, po çka do të arrijmë me këtë veprim? Ndryshim substancial apo vazhdim të avazit të vjetër?! Dikush po thotë: ta heqim taksën e ta vendosim reciprocitetin?! Mirëpo, duhet sqaruar se për çfarë reciprociteti po flasim? A e dinë ndokush këtë? Nëse nuk e bëjmë një reciprocitet të plotë për çështjet më kardinale që e ndihmojnë normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, ndoshta është më mirë të mbesim këtu ku jemi e të presim ditë më të mira. Si kompensim për heqjen e Taksës se Qeverisë së Kosovës, cili do të jetë veprimi i Serbisë? A është ajo e gatshme për t’i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën? Apo do t’ia lemë Serbisë “Livadhisjen në Livadhin e Babës”?! A pak livadhisi ajo në livadhin e huaj?! Dihet që më shumë se njëqind vjet e tehu, Serbia e Jugosllavia, nuk patën vesh në asnjë kohë e në asnjë rast që ta dëgjonin zërin e shqiptarëve për liri, barazi e demokraci. Përkundrazi, Serbia e donte Kosovën pa shqiptarët vendas, prandaj shumë herë ushtroi politika të krimit të gjenocidit. Mos dënimi i këtyre politikave të gjenocidit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (pas tri luftërave të fundit) e kanë trimëruar shumë edhe Serbinë e sotme.
Në Kosovë ende ka shumë njerëz që e dinë sesi kemi ardhur deri këtu ku jemi. E dimë se cila frymë politike, njerëzore e kombëtare na solli këtu ku jemi, e cila frymë politike, njerëzore e qyqare ishte si uji i moçalit, i cili as nuk ecën e as nuk pihet. Dihet se me frymën e moçalit do të jetonim në moçalishten e Jugosllavisë se vogël (Serbi – Mal i Zi) ose të degdisur e të shpërndarë në Botë si zogjtë e qyqes?! Ne, të frymës së parë si edhe ata të frymës se dytë, e dimë se cila frymë e solli lirinë, çlirimin dhe Pavarësinë e Sovranitetin e vendit. Prandaj qeveritarët e vitit 2020 e kanë për obligim që qytetarëve të Kosovës t’ju tregojnë se cilën frymë do ta ndjekin, rrugën e ndryshimit apo të moçalit?! Ndërsa, qytetarët e dinë, kuptohet ata që kanë kujtesë kombëtare, jo ata që kanë kujtesë mize, se një pjesë e qeveritarëve të sotëm kanë pas ofruar një frymë më të avancuar se ajo që i ka sjellë ndryshimet që i kemi pas qershorit 1999, përfshirë edhe Pavarësinë e shpallur më 17shkurt 2008.
Ne, qytetarët e lirisë e të pavarësisë duhet ta dimë saktë se nga cila frymë do të qeverisemi tani e tutje?! Do të qeverisemi nga fryma e parë, nga ajo e moçalit apo nga fryma ma e avancuar sesa e para (e Pavarësisë)?! Fryma e bashkimit kombëtar do të na bënte më krenar! Dhe nuk kemi asnjë arsyeje që ta kundërshtojmë.