Profesori universitar Milazim Krasniqi ka reaguar pas një deklarate të Departamentit Amerikan të Shtetit, duke vlerësuar se mesazhi i Uashingtonit është shqetësues dhe se fokusi mbetet te përmbushja e zotimeve që Kosova ka marrë ndaj serbëve të Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Krasniqi veçoi pjesën e deklaratës ku thuhet: “Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës.”
Duke komentuar këtë formulim, ai shkroi: “Pra, me popullin e Kosovës, jo me qeverinë e as me shtetin e Kosovës! (Nëse është përkthimi i saktë, kuptimi është shqetësues.)”
Sipas Krasniqit, deklarata e DASH-it e vendos theksin te obligimet që Kosova ka marrë në raport me komunitetin serb.
“Ky qëndrim i Departamentit Amerikan të Shtetit fokuson detyrimin që ka marrë Kosova me zotimet e veta. Praktika që të marrësh një zotim e të mos e kryesh na ka sjellë në këtë derexhe,” ka shkruar ai.
Ai ka kritikuar edhe qasjen e politikës vendore ndaj zotimeve ndërkombëtare, duke theksuar se taktikat që përdoren në garën politike nuk mund të funksionojnë me partnerët strategjikë të Kosovës.
“Ato lojëra mund të bëhen ndërmjet vetë partive tona politike (duke ia ngulë njëra tjetrës), por nuk mund të bëhen me SHBA-në, me NATO-s e BE-në. Bëhen po mandej nuk zhbëhen, sepse të bllokojnë e të lënë kacavartë. Atyre nuk u ngutet. Pse? Sepse Ballkanin pothuajse e kanë në grusht. Pjesën e rebeluar e lënë të izoluar. (Shqipërinë e patën braktisur gati gjysmë shekulli.)”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka paralajmëruar për pasojat që, sipas tij, sjell mungesa e bashkëpunimit me aleatët perëndimorë.
“S’ka bashkëpunim strategjik, s’ka fonde, s’ka vizita, s’ka përkrahje. Qaq,” ka shtuar ai.